Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Veri, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi se është marrë vendimi për shtimin e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë.
Komunikimi i shefit të NATO-s u tha pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ku u diskutua për situatën në Kosovë.
“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale”, tha Stoltenberg.
Në njoftim thuhet se aleatët kanë shprehur shqetësimin e tyre të thellë për tensionet në rritje në veri të Kosovës.
Stoltenberg tha se “ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës”.
“KFOR-i”, tha ai, “vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Kosovë dhe Serbi, “si dhe me EULEX-in, OSBE-në, UNMIK-un dhe komunitetin diplomatik”.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në deklaratën e shefit të NATO-s, thuhet se KFOR-i gjithmonë do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
“Ne e bëjmë këtë në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, deklaroi Stoltenberg.