Ndryshimet në qeveri nuk erdhën as nga presioni rrugës, as nga presioni i opozitës, por nga hija e Drejtësisë dhe rutina e ndryshimit për hir të ndërrimit.
Edhe ata që u larguan, edhe ata që erdhën, edhe ata që qarkulluan, lajmin e morën në të njëjtën kohë me publikun.
Edhe të larguarit, edhe të qarkulluarit nuk e kuptuan pse u larguan. Por më të çuditurit janë ata që u bënë ministra.
Emrat e rinj, nuk thonë asgjë për publikun sepse Partia në pushtet ka 10 vjet që i është shmangur debatit publik- në kurdhën e të cilit spikatin politikanët. E përqëndruar te propaganda dhe ideja që nuk kemi opozitë, emrat e rinj në kabinetin qeveritar (përjashto Maznikun) nuk i thonë asgjë publikut.
Kryeministri duket se ka vendosur të jetë edhe kryeministër i punëve të jashtme, të mos ketë shumë pengesa nga dikasteri i llogarive dhe ka luksin të akomodojë kë të dojë dhe të nxjerrë në rrugë ata që i bëhen barrë.
Megjithëse foli gati një orë për suksesin e jashtzakonshëm në turizëm, Kryeministri nuk ishte i qetë aq më pak i qeshur. Hija e shkurtër e SPAK-ut dhe lista e gjatë e skandaleve janë ana tjetër e medaljes.
Motoja që përgjegjësia është individuale nuk përjashton përgjegjësinë politike, administrative dhe morale.
Korrupsioni që në vend është sa elitar aq edhe kapilar nuk luftohet me 8 prokurorë të SPAK-ut. Zgjidhja nuk është SPAK. Është përgjegjësi në radhë të parë e ekzekutivit.
Aferat për të cilat gjysma e qeverisë së majtë është në SPAK, nuk erdhën nga qielli, as nuk janë zbulim i SPAK dhe nuk janë gabime pa dashje. Aferat janë zbardhur nga media, shoqëria civile dhe opozita prej vitesh. SPAK, thjesht diku me drojë dhe diku me të shtyrë po mbledh fillin që ja ka dërguar në derë opozita dhe shoqëria civile. Madje në aferat e mëdha, cilësia e denoncimit është më e lartë se ajo e hetimit.
Do të ishte për t’u duartrokitur qeveria nëse strukturat antikorrupsion të ekzekutivit të dërgonin dosjet apo denoncime në SPAK. Do të ishte ideale që me zbulimin e aferave të kishim distancim.
Ajo që kemi parë është mohim, kundërshtim, rezistencë deri në pikën ku gota e zullumit është mbushur dhe nis dhe derdhet. Dhe rezistenca është bërë edhe në komisionet hetimore parlamentare.
Problemi i korrupsionit që gjatë këtyre 10 viteve ka ardhur duke u majisur nuk zgjidhet me predikime dhe paralajmërime. (Është detyrë e hoxhës dhe priftit të flasë kundër vjedhjes) nuk bëhet vreshti me urata, por me shata e lopata!
Lufta ndaj korrupsionit kërkon në radhë të parë vullnet politik, reforma të thella dhe përgjegjësi politike, llogaridhënie brenda ekzekutivit.
Nëse Kryeministri dhe qeveria i marrin seriozisht artikujt e shtypit (sidomos shkrimet investigative), nëse do të funksionojnë kontrollet e brendshme dhe departamentet antikorrupsion, nëse do të nxirren përgjegjësi nga raportet e KLSH dhe komisioneve hetimore parlamentare, nëse denoncimet e opozitës nuk do të konsiderohen si baltë ndaj “arritjeve të qeverisë, atëherë qeveria sot do të ishte më e qetë dhe nuk do të mburrej se nuk po lë pa punë SPAK-un.
Ndryshimet në qeveri dhe vetë fjala e Kryeministrit nuk japin asnjë sinjal se do të ketë një qasje pro aktive ndaj korrupsionit. Mesazhi kryesor është: kujdes nga SPAK. “Dy duart për një kokë”.
Ndryshimet në qeveri në 10 vjetorin e ardhjes në pushtet të PS-së përveç emrave nuk sjellin më asgjë të re. Problemet janë të vjetra.