Teksa po afron data e zgjedhjeve për kryetarin e ri të Bashkisë së Kukësit, Partia Demokratike e kësaj dege ka bërë thirrje për bashkim.
Në një reagim për mediat, PD e Kukësit iu bën thirrje demokratëve që të bashkëpunojnë për të zgjedhur një kandidat të denjë, që do të shpallet fitues.
Kujtojmë se zgjedhjet e ripërsëritura do të mbahen më 24 shtator dhe erdhën pasi ish kryetari i zgjedhur Safet Gjici dha dorëheqjen pasi u përfshi në një video-skandal seksual.
DEKLARATA E PD KUKES
Partia Demokratike Dega Kukës siguron të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e saj për angazhimin e plotë dhe të vazhdueshëm në funksion të interesit më të mirë të të gjithë qytetarëve të Bashkisë Kukës. Pas një kohe të gjatë përballje me antivlerat dhe imoralitetin nëpërmjet zaptimit të institucioneve shtetërore, Kukësit dhe familjeve kuksiane duhet ti kthehet shpresa dhe dinjiteti.
Në kuadër të zgjedhjeve të datës 24 Shtator 2023 për kryetar bashkie, Partia Demokratike apelon për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për të gjithë demokratët, bashkimin e tyre në një përfaqësim dinjitoz, për të garuar me një kandidaturë të gjithëpranuar.
Koha për të sjellë ndryshimin në Kukës ka ardhur. Ne ftojmë të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe votuesit tanë të bashkojmë energjitë dhe vullnetet tona për ta bërë realitet këtë ndryshim të shumëpritur.
Partia Demokratike është e përkushtuar pa asnjë rezervë dhe paragjykim për të mundësuar përfaqësimin dinjitoz të së djathtës shqiptare në garën për Bashkinë e Kukësit me një kandidat fitues dhe e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që duan një kandidat të denjë për Kukësin dhe një Parti Demokratike fituese, si e vetmja shpresë për kthimin e pushtetit në duart e qytetarëve.
Partia Demokratike
Dega Kukës