Pas plagosjes së efektivit në Lukovë, ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla. Ky i fundit përmes një postimi në Facebook bën me dije se gjendja shëndetësore e punonjësit të policisë është kritike.
Balla paralajmëron se kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit.
MESAZHI I PLOTË
🇦🇱🦅👨✈️ Prej mbrëmë, pak para mesnate, një nga djemtë e rinj dhe të përkushtuar të Policisë së Komisariatit Himarë, Redin Çaushaj, po lufton për jetën në Reanimacionin e Spitalit Vlorë. Mjekët dhe infermieret e këtij spitali kanë bërë më të mirën dhe gjendja shëndetësore e Redianit, edhe pse vazhdon e rëndë, po shfaq përmirësime dhe është stabël për momentin.
Redin Caushaj mban detyrën e inspektorit në Policinë e Shtetit dhe dje edhe pse jashtë orarit të shërbimit është përpjekur të bëjë detyrën duke ndërhyrë për shuarjen e një konflikti mes dy shtetasve, siç jam informuar menjëherë mbrëmë nga Drejtori i Përgjithshëm.
Në këtë përpjekje të punonjësit të policisë, njëri nga shtetasit e ka goditur me armë të ftohtë duke e plagosur rëndë. Autori i këtij krimi është arrestuar sot në të gdhirë nga forcat tona të Policisë së Shtetit dhe pres nga Prokuroria Vlorë të bëjë një hetim të plotë, të pavarur dhe një ndëshkim të ashpër për fajtorin.
Kushdo që guxon të ngrejë dorë kundër një punonjësi policie duhet ta dijë mirë se po kryen një krim të rëndë kundër shtetit. Do të flas në një moment të dytë sot për këtë çështje.
Redini do të vazhdojë të qëndrojë në Reanimacionin e Spitalit Vlorë, pas konsultimit që patëm me mjekët dhe drejtuesit e Spitalit🙏