Edi Rama gjendet i mbërthyer në morsën e dy të vërtetave, falë vendimit personal për ta burgosur kandidatin e bashkisë Himarë, Fredi Beleri, pak ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Nga njëra anë ai është i ndërgjegjshëm se fiton pikë te ajo pjesë e shqiptarëve që nuk i honeps dot ata që e konsiderojnë Himarën greke. Jo rallë herë e kemi dëgjuar këto kohë shprehjen “mirë ia bënë, ai s‘di të flas as shqip”.
Por ama, nga ana tjetër, kjo fitore prej populisti nacionalist, rrezikon të ketë një çmim shumë të kripur. Kryeministri duket se po e ndjen këtë shqetësim, që po prek fije gjithnë e më lart në Bruksel dhe Uashington. Diplomacia helene, europarlamentarët e saj dhe aktivistët e lobit grek janë vënë në lëvizje për të sensibilizuar institucionet euro atlantike. Duke perceptuar valën e këtij kazani që po zjen dhe që arriti pikën e vlimit me një protestë të deputetëve dhe kryebashkiakëve grekë në Himarë, kryeministri vendosi të justifikohej me një letër të hapur, të shkruar më shumë për tu lexuar në Athinë, sesa në Tiranë. Pasi shprehte konsideratën e tij më të lartë për homologun Misotakis, pasi huazonte shprehjen e Enverit “dy popuj miq”, Edi Rama rreshtonte alibitë e tij.
Si mund të lirohej Beleri kur tre shkallë të drejtësisë shqiptare kanë vendosur se duhet të qëndrojë në burg – pyeste ai. Si mund të ndodhte kjo, kur për blerje votash SPAK ka proceduar edhe shumë të tjerë? Pse duhet të ishte privilegj përkatësia e tij etnike ndërkohë që drejtësia kishte burgosur edhe kryebashkiakë nga partia në pushtet? Pra, duke pasur si udhërrefyes shprehjen “bindju ligjit”, që e kishte vënë dhe në krye të shhkrimit, kryeministri rekej të lante duart duke thënë se kjo nuk qe një punë e tij, por e drejtësisë.
Në parim, si logjikë formale kjo duket perfekte. Askush nuk duhet të ndërhyje në punët e prokurorisë dhe gjykatave, e aq më pak këtë të drejtë e kanë autoritete të huaja nga vendi fqinjë. Por, në fakt, është ndryshe dhe këtë e dinë, si në Tiranë, po ashtu edhe në Athinë. Burgosja e Fredi Belerit është politike dhe ajo është bërë me urdhër nga lart. Ka shumë fakte që e dëshmojnë këtë. Dosja policore ndaj tij u hap vetëm dy ditë pas mitingut të PS-në Himarë, kur kryeministri e sulmoi me një gjuhë të padenjë edhe për një halabak. Ai qe një makinacion i forcave operacionale, që përdori për të ngritur kurthin, një të infiltruar të policisë. Ai u ndalua në kushtet e flagrancës, ndërkohë që ishte duke dalë nga kafeneja. Megjithëse gjithçka ndodhte ishte në mbikqyrje me kamera dhe nga një mori agjentësh, ata nuk arritën dot ta provojnë me pamje dhënien e parave për blerje votash. Kur të gjithë e dinin se krimet zgjedhore i takojnë SPAK-ut, çështja u çua në prokurorinë e Vlorës dhe vendimin e burgosjes e mori po gjykata e këtij qyteti dhe jo ajo e posaçme.
Pra, nuk duhet shumë për të kuptuar se është fjala për një makinacion të denjë për një regjim autokratik, që i lejon vetes të ndërhyjë brutalisht në një garë zgjedhore. Dhe po ti shtosh këtyre fakteve edhe sfondin e fushatës denigruese që zhvilloi vetë Edi Rama, nëpër studio televizive, kundër kandidatit minoritar, nuk ka më dyshime se dora e kujt fshihet pas gjithë kësaj. Prandaj, alibitë se ishte meritë e drejtësisë që kapi blerjen e votave nga Beleri, ndërkohë që të njëjtës drejtësi, nuk i ra asgjë në sy për atë që bëri PSD e Tom Doshit, janë qesharake.
Edhe diplomatët edhe politikanët greke që kërkojnë lirimin pa kushte të të burgosurit, i dinë fare mirë këto. Dhe po ti shtosh kësaj të vërtete edhe nacionalizmin fanatik që është një virus i përhapur në diplomacinë greke, ndjeshmërinë që ata kanë ndaj atavizmave etnike të kohëve të shkuara, fanatizmin e pa negociueshëm në mbrojten e hapsirave grekofone, situata rrezikon të bëhte shqetëuese. Një situatë të tillë në Shqipëri e kemi përjetuar në kohën kur Berisha arrestoi, pak a shumë në të njëjtën mënyrë, pesë eksponentë të minoritetit grek. Pasojat qenë aq traumatike sa edhe sot e gjithë ditën janë të shumtë ata që besojnë se rrëzimi i ish presidentit në ‘97, pati në gjenezë lobimin e fortë të Athinës. Natyrisht prej atëhere gjërat kanë ndryshuar. Pesha dhe roli i Athinës është mpakur ndërsa fuqia financiare dhe lobuese e Tiranës është shumë më e ndryshme nga ajo e fillim viteve ‘90. Por ama një gjë mbetet. Autoritetet greke, ashtu sikurse dëshmoi edhe protesta e së hënës në Himarrë, e kanë marrë me inat dosjen Beleri. Fakti se në kryesinë e Komisionit Europian po flitet për pengimin e përparimit të vendit drejt BE, apo se në senatin amerikan janë dëgjuar zëra për shkeljen e shtetit të së drejtës nga autoritetet e Tiranës, janë vetëm shenjat e para.
Në përgjithësi, për arsyet e veta perëndimi e ka toleruar regjimin gjithnjë e më autokratik të Ramës. Por dosja Beleri dhe këmbëngulja ballkanike deri në fiksim e Athinës me të, mund t’i ndryshojnë gjërat. Kjo aferë rezikon të shndërrohet në një lakmues për të testuar ato për të cilat komuniteti ndërkombëtar deri më tani ka heshtur: mëyrën si është kapur dhe politizuar drejtësia dhe farsën e zgjedhjeve, gjoja demokratike në këtë vend.
Për interesa krejtësisht të ngushta të saj, që s’janë domosdoshmërisht në të mirë të shqiptarëve, Greqia mund të provokojë ndërkombëtarisht një debat që zbulon dy këmbët prej argjili ku mbështetet pushteti autokratik i Ramës. Prandaj, ndonëse e ka bërë për vete një pjesë populiste që e mbështet në “plasjen në burg të grekut të poshtër”, Rama po shqetësohet nga këmbëngulja e Athinës. Ai e ndjen se ka më shumë për të humbur sesa për të fituar nga kjo përplasje. Ai e kupton se inati grek mund të shërbejë si pasqyrë për mëkatet e pushtetit të tij. Duke ditur këtë ai u mundua të qetësojë ujrat me botimin e një letre të hapur. Por fatkeqsisht, alibinë qesharake se kjo është një punë e drejtësisë, se beson dot askush.