Çmimi i naftës në vendin tonë ka pësuar sërish rritje për të tretën herë radhazi brenda pak javësh, duke u rritur me 5-7 lekë për litër.
Ndërkohë që deputeti i PD-së Dashnor Sula shprehet se gushti është “muaji i preferuar i ‘hajdutëve’ të naftës”, ndërsa shton se kjo është vjedhje e pastër dhe akt anti-kombëtar sepse zhvat qytetarët të cilët për patriotizëm rikthehen në vendin e tyre për të pushuar por është edhe abuzim me turistët që vijnë në Shqipëri.
Sula shkroi më tej se bursa ndërkombëtare nuk mund të jetë argument, pasi sipas tij luhatjet në bursë janë në shproporcion me ato në tregun vendas.
Postimi i plotë:
Gushti, muaji i preferuar i ‘hajdutëve’ të naftës.
Për të tretën herë radhazi brenda pak javësh, çmimet e naftës janë rritur sërish me 5-7 lekë për litër.
Një litër naftë tregtohet me 192 lekë, nga 185 lekë që ishte pak ditë më parë. Benzina shitet me 196 lekë, nga 188 lekë që ishte më parë.
Po më duket si një dezhavu e një viti më parë. Edhe vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, çmimi i naftës në mënyrë abuzive pësoi një rritje të konsiderueshme.
-Bordi i transparencës që u vendos nga qeveria përveçse i futi dorën shqiptarëve thellë në xhep, i mësoi kompanitë se si të vidhnin sa më shumë shqiptarët.
Nisi që vitin që shkoi; duke qenë se në muajin gusht, shumë shqiptarë rikthehen në atdhe për të pushuar, për të takuar familjarët e tyre, vijnë edhe shumë e shumë turist të huaj, kompanitë në një sjellje të unifikuar dhe të marrë shembull nga bordi transparencës rrisin në mënyrë abuzive çmimet duke i vjedhur kështu shumë më shumë shqiptarët dhe duke rritur shumë më shumë kasafortën e tyre.
Kjo është vjedhje e pastër dhe akt anti-kombëtar sepse zhvat qytetarët të cilët për patriotizëm rikthehen në vendin e tyre për të pushuar por është edhe abuzim me turistët që vijnë në Shqipëri.
-Bursa ndërkombëtare nuk mund të jetë argument i cili zakonisht përdoret nga ky grup i strukturuar. Sepse luhatjet në bursë janë në shproporcion me ato në tregun vendas.
-Për më tepër, forcimi i lekut duhet të luante një rol pozitiv në këtë rast për të mos rritur çmimin e naftës, por kjo gjë nuk ndodh. Jam shumë i bindur dhe i inkurajoj organet përkatëse që nëse bëjnë një hetim administrativ të ecurisë së çmimit të naftës do të gjejë abuzime të mëdha me një ndikim thelbësor në xhepat e shqiptarëve.
Në mënyrë absurde ne kemi naftën më të shtrenjtë në Ballkan, ndonëse nëntoka jonë është e pasur me arin e zi dhe eksportojmë miliona litra naftë.
Në mënyrë absurde ne zgjasim koncesione që rrisin çmimin e naftës, por që as nuk frenojnë kontrabandën.
STOP së vjedhuri!