Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka vizituar dy efektivët e kontigjentit EOD, të plagosur një ditë më parë në Letoni
Xhaçka vizitoi major Klodian Tanushin, i cili ndodhet i shtruar në RIGA EAST UNIVERSITY HOSPITAL. Gjendja shëndetësore e Major Tanushit është e rënduar, ndonëse ndodhet nën mbikqyrjen intensive të mjekëve. Ministrja vizitoi edhe Reshter Juliaj Kapajn, i cili aktualisht ndodhet në spitalin e bazës ushtarake Camp Adazi në Letoni. Fatmirësisht mësohet se gjendja shëndetësore e Kapajt është shumë e mirë.
Ndërkaq burime nga Ministria e Mbrojtjes deklarojnë se ceremonia shtetërore e lamtumirës për nëntetaren Zarife Hasanaj do të zhvillohet gjatë paradites së të premtes më 10 maj 2019.
Trupi i efektives që humbi jetën një ditë më parë pritet të mbërrijë në Atdhe ditën e enjte, më datë 9 dhe do të transportohet me avion ushtarak.
Efektivja Hasanaj do të shoqërohet edhe nga një efektiv kanadez, një letonez dhe kolegë të saj shqiptarë, pjesë e kontigjentit ku bënte pjesë.
Trupi i pajetë i efektives do të pritet në aeroportin “Nënë Tereza”, me protokoll ushtarak e më pas do të dërgohet pranë familjes së saj.