Teksa ditën e sotme u bë e ditur se SPAK ka vendosur sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, një reagim ka ardhur edhe nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi.
Duke qenë një prej zërave më të fuqishëm për aferën e inceneratorëve, Kryemadhi ka komentuar sekuestrimin e atij të Tiranës.
Në postimin e saj, Kryemadhi inkurajon SPAK që të thellojë hetimet për të kapur edhe “kokat”. Këta të fundit, sipas saj janë Ëngjëll Agaçi, sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë; Edi Rama, kryeministër dhe Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.
“SPAK më në fund ndërmori një veprim ndaj inceneratorit të Tiranës, i kallëzuar prej meje që prej dy viteve. Në këto momente shumë të rëndësishme, duhet të mos harrojmë se: 1. Inceneratori i Tiranës është një vepër kriminale produkt i bashkëpunimit mafioz mes zyrtarëve publikë dhe biznesit. Të dyja palët janë përgjegjëse në vjedhjen e shqiptarëve. 2. Të ndiqen paratë e vjedhura kudo ku këta hajdutë me kostum zyrtari e biznesi i kanë fshehur, dhe çdo qindarkë t’u kthehet qytetarëve. Jepi SPAK, edhe pak të duhet të arrish te peshqit e mëdhenj të Inceneratorit, Agaçi, Rama, Veliaj,”-shkruan Monika Kryemadhi.
Pas vitesh debat publik, sot SPAK ka sekuestruar inceneratorin e Tiranës. Sipas SPAK ka rezultuar se Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri janë pronarët “de facto” të shoqërisë “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k, e cila ka fituar kontratën koncesionare për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës si dhe janë pronarët “de facto” të shoqërisë mëmë të saj, të themeluar në Holandë. SPAK, Zotos dhe Mërtitit i ka sekuestruar edhe një pronë në Durrës me vlerë 1 mln euro.