Konflikt mes dy familjeve për pronat në Durrës/ Shoferi i Lindita Nikollës qëllon me armën e shërbimit

Një konflikti për çështje pronash ka ndodhur sot mes familjeve në Hamallaj, për një rrugë në lagjen “Hidrivor Hamallaj”. Sipas dëshmisë së dhënë përpara grupit hetimor, kryefamiljari Pjetër Kaçi, 80-vjeç, ka qenë duke ecur, kur vëllezërit e familjes Nikolla i kanë zënë rrugën.
Martin Nikolla, me profesion punonjës Garde, e ka kërcënuar me armë zjarri pistoletë duke qëlluar në ajër.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se një punonjës i Gardës ka qëlluar me armë zjarri në ajër, por nuk është lënduar asnjë person nga të shtënat.
Ndërkohë në polici janë shoqëruar të 6 personat e përfshirë në konflikt.
“Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N.
Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë.”- thuhet në njoftim.