Nga Agron Gjekmarkaj
Kronikë e gjykimit të fundit! (pjesa e paradites)
Dita e sotme e Kuvendit në fillim dukej si fundi i Botës. Ina Zhupa ja kishte dalë gjatë natës të sillte me karrocat e kuzhinës në dukje ngarkuar me karota e shishe dhalle, disa arka me trakte, të cilat i shpërndau mbi tavolinat e opozitës. Po ç’të shihje, ju thaftë dora, Babua dhe të tijët përqesheshin. Një prej atyre e mori Doktori dhe u turr nga qeveria. Tezes desh i ra damllaja. U skuq, gjuha ju tha, kruhej pat frikë mos ja ngjiste në shpinë dhe vrapin mori neper zabel. Ajo u ngjit sipër zuri karrigen e Belës (gabim tjetër ky) dhe i fliste të gjorës Gerta e Olta, të cilat vunë nga një dosje mbi krye që tërsëllima e stërkalave mos t’i lagte si shi.
Nikua u fut nën banak dhe nxori dy pipa të lidhur me njëri-tjetrin me të cilët merrte frymë si palombar. Margeriti i tha rri aty se të mbroj unë, kur i tha dil- doli pak i zverdhur, por i lehtësuar. Pastaj si xhind nga ferri u shfaq Gaz Bardhi që këto kohë nuk mbahet i uruari. Doktori dhe Muli e shihnin me admirim. Deli djalë, Deli djalë psherëtinte Kryezëvendës Lideri dhe përhumbeshin si Halili me Zukun Bajraktar lart në kreshtë. Ermua numëronte deri në dhjetë në ja përmend apo jo emrin po ënde kjo s’ka ndodhur. Veziri i madh Tao rri i heshtur i buzëqesh vetes herë pas here e në të rrallë na qeras edhe ne të tjerëve.
Nostalgji të madhe ka ndezur te rreshti i tij. Katër- pese veta bëjnë prova për kryetar grupi po Babua po i torturon nuk jep shenja jete. Xhemali u ul për pak në karrigen e tij. Ndenji si mbi gozhda dhe iku me vrik. Salianji sapo hyri e bashkë më të mirësia si vello biblike ra. Se duket si shenjtor ay. Pa rrotull po gjithkush ulte kryet mos t’i ndeshej shikimi me të uruarin në fjalë. Krye Zëvendës Lideri Muli ka zënë foltoren me shikim shkabe si Sef Kosharja dirigjon dinamikat e debatit si gjykatës i naltë. Bana i bie një daulleje për të mbajtur ritmin e sulmit duke trembur të madh e të vogël. Toni rënkon, jo nga dhembjet e kyçeve por nga dertet e vatanit. Rri i ngrysur nga urtësia dhe nga interpretimi i psalmeve. Merr shënime dhe mejtohet si plak i moçëm në qoshe të oxhakut. Krifca është pak e hutuar, pret me ankth verdiktin e Babos për IPARD. Ka dorë të rëndë ai.
Arben Pëllumbi do të fshihet nga fati i vet për të bërë gjëra të mëdha dhe bën sikur merret me të vogla.
Laerti mermerit bereqavers, bereqavers domixhani ënde plot. Shalsi ishte qethur deri në rrënxë si dash rrunak. Edhe Klosi u ul në karrigen e Taos qerratai. Munxa e zilise u qas ngado. Serioziteti hermetik i Etildës është më i dendur se thinjat e Pandit dhe mendimet e fshehta e të zymta të Etjenit gati edhe më i thellë se mirësia e Mimi di Puçini apo mërzia e Braçes. Xhemali dhe Nasipi kanë bërë paqe duke rënë dakord që Konfuci ishte një qafir i cili në sherr i futi. Jorida e gjitha në blu sheh nga e ardhmja me optimizëm dhe egocentrizëm e befasuar nga entuziazmi i Banes për Gazin dhe respekti im pa kushte. Pyeti vetëm mos edhe Lul Brava e do a këta? Mamica edhe një here ja bëri fora. Qerratesha po lufton për Babo e troje të veta e për ta si dhimbset jeta. Fred Xhaferri bën hesap, ku me qet kjo tollovi?! Dash Sula ka lëshuar këmishën mbi pantallona si estet i lodhur nga eleganca. Ah, Edona Muzhaqi me ka ftuar për kafe dhe po pres. (vazhdon…)