Partia Demokratike duket e vendosur në atë që është duke bërë dhe ditën e sotme ka kthyer përgjigje për një reformë të rëndësishme, atë të Reformës Zgjedhore.
Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, ai që i ka kthyer përgjigje Kuvendit duke i shkruar se duke qenë se është institucion jolegjitim nuk do të dërgojnë asnjë vëzhgues.
Sipas Bardhit Parlamenti është produkt i zgjedhjeve të diktuara dhe të blera nga krimi i organizuar, ndaj Kuvendi nuk ka ligjitimitet për realizimin e kësaj reforme.
“Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore. Asnjë Komision që ka në përbërje dhe drejtim individë që nuk përfaqësojnë opozitën, nuk mund të përcaktojë rregullat për pjesëmarrje në zgjedhje të partive politike opozitare”, shkruhet në njoftim.
Edhe një herë tjetër duke shprehur domosdoshmërin e Reformës së vërtetë Zgjedhore, kjo parti shpreh se do të zbatohet nga ata që duan zgjedhje të lira.
“Personat, subjekt i hetimeve penale nr. 184/2016 apo nr. 339/1/2017 të Prokurorisë për Krimet e Rënda, janë në kushtet e konfliktit të interesit me zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si dhe me Reformën e vërtetë Zgjedhore, për të cilën ka nevojë vendi.”- thuhet në përgjigjen e PD.