Ditën e sotme studentet e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë janë ngritur sërish në protestë për të kundërshtuar propozimin e qeverisë për punësimin e tyre pas përfundimit të studimeve.
Bëhet e ditur se dhjetëra studentë janë mbledhur para Fakultetit të Mjekësisë, duke kërkuar që ministria e Shëndetësisë dhe rektorati të heqin dorë nga ideja. Raportohet se pas qëndresës pranë ambienteve të fakultetit, studentët e mjekësisë kanë nisur të marshojnë duke transferuar protestën pranë Ministrisë së Shëndetësisë.
“Zgjidhja e vetme dhe e qëndrueshme e këtij problemi kalon mes një angazhimi serioz në kushtet e punës dhe rritjes së pagave në bazë të një meritokracie. Ne kemi rënë dakord që fillimisht të mblidhemi brenda universitetit duke marshuar drejt MSH sepse është përfshirë në hartimin e këtij projekti. Ata s’dhanë përgjigje dhe ne vendosëm të protestojmë sërish kundrejt këtij indiferentizmi. Aktualisht nuk ka konsultime, ka patur dy takime, aktualisht nuk ka pasur tentativa të ketë sërish. Ne kemi mbetur në nivelin e protestave”,u shpreh një prej studentëve në protestë.
Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria kanë propozuar së fundmi një plan për punësimin me detyrim për të sapo diplomuarit e mjekësisë për një periudhë prej 3 vitesh, ose pagesën e tarifës prej 5000 eurosh për vit akademik.
Propozimi ka ardhur si një tentativë e qeverisë dhe ministrisë për të frenuar largimin masiv të mjekëve nga vendi, por studentët e kanë kundërshtuar kategorikisht këtë plan.