Një nga njerëzit më të afërt të drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Ardi Veliut, ka përfunduar në pranga si pjesë e një grupi kriminal. 15 urdhër-arreste janë firmosur nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK teksa janë ekzekutuar shumica prej tyre, mes të cilëve ka përfunduar në pranga shoferi i Ardi Veliut, Sokol Idrizaj dhe bashkëshortja e tij, ndërsa në arrest shtëpie janë lënë dy vajzat e çiftit. Anëtarët e familjes Idrizaj, në bashkëpunim me persona të tjerë, trafikonin nga Franca në Shqipëri sende të vjedhura me vlera të mëdha, që më pas shiteshin në vendin tonë. Mes personave të arrestuar janë edhe efektivë policie të Portit të Durrësit dhe pikës kufitare të Hanit të Hotit, për të cilët ka dyshime se lejonin aktivitetin e grupit kriminal. Idrizaj ka punuar me status në strukturat e Policisë së Shtetit kur kjo kupolë drejtohej nga Ardi Veliu, në pozicionin e shoferit të tij. Burime pranë Prokurorisë konfirmojnë se procedimi penal është regjistruar në vitin 2020, kohë kur Idrizaj i shërbente Veliut. Nuk përjashtohet mundësia që në këto rrethana, ai të ketë përdorur edhe funksionin për të krijuar lehtësira në futjen e mallrave me vlerë me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri. Më shumë se një vit më parë, Idrizaj u lakua si i përfshirë në aktivitet kriminal, dhe në atë kohë iu ushtrua edhe kontroll banese. Në rrethanat e këtij skandali, pas largimit të Ardi Verliut nga drejtimi i Policisë së Shtetit, njëherësh vendosi edhe largimin e personit të besuar të tij nga shërbimet pranë kësaj kupole. Autoritetet franceze kishin dyshime të forta për veprimtarinë e grupit kriminal, teksa nisën letërporosi ndaj autoriteteve shqiptare. Procedimi u regjistrua për 6 vepra penale, mes të cilave “Pastrimi parash”, “Ushtrimi pa licencë i veprimtarisë bankare”, “Kontrabanda me mallra të tjerë”, të gjitha në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. Mësohet se dy vajzat e Sokol Idrizajt, që janë lënë në arrest shtëpie, ishin studente në Francë, teksa ka dyshime të kenë patur rol në aktivitetin kriminal për të fshehur gjurmët. Prokuroria e Posaçme, e mbështetur nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Forcat Oeracionale në Policinë e Shtetit, nisën ekzekutimin e urdhërave të arrestit të martën deri të mërkurën në mëngjes, duke e mbajtur në kushte kofidencialiteti të gjithë operacionin.
Organizonin lojëra fati në Tiranë, në pranga 4 persona
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme...