Më pak se një muaj më parë, aeroporti i Rinasit përfundoi sërish në titujt kryesorë të mediave shqiptare dhe atyre të huaja, pasi për të dytën herë brenda tre viteve, në ambientet e aeroportit, u grabitën në mënyrë spektakolare 6 milionë euro nga 3 banka të nivelit ët dytë.
Që prej ditës së ngjarjes, nga hetimet kanë dalë çdo ditë të dhëna të reja jo vetëm mbi organizimin e supergrabitjes, por edhe mbi problemet alarmante të sigurisë në aeroportin më të madh të vendit. Por megjithatë, institucionet e drejtësisë shqiptare duken të përfshira nga ngathtësia kur vjen puna tek “emrat e mëdhenj” të përfshirë në ngjarje.
Në këtë rast, bëhet fjalë për drejtorin e përgjithshëm të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, shtetasin gjerman Rolf Castro-Vasquez i cili ndonëse duhet të jetë ndër të parët që duhet hetuar mbi këtë çështje duke qenë se kompania koncesionare përgjigjet drejtpërdrejtë për sigurinë në Rinas, duket se shpëton gjithnjë pa lagur.
Në grabitjen e 990 mijë eurove në vitin 2016, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi fletëthirrje për marrjen në pyetje të Vasquez, por ky i fundit asokohe nuk ishte aspak i disponueshëm për drejtësinë shqiptare pasi ndonëse në Rinas ishte bërë gjëma, drejtori i përgjithshëm nuk e pa të arsyeshme të ndërpriste pushimet, duke e lënë kështu në pritje Prokurorinë.
Madje edhe sot, vijon të mbetet mister nëse Vasquez u shfaq apo jo ndonjëherë në derën e Prokurorisë, pasi ende nuk gjendet asnjë shenjë e ndonjë dëshmie nga ana e tij, për atë çka ndodhi në aeroport. Sakaq, në ditët e sotme, duket se e njëjta histori po ripërsëritet.
Pas grabitjes së 6 milionë eurove në Rinas në 8 prill, Rolf Castro-Vasquez i njohur si Castro, u mor në pyetje nga Policia e Tiranës lidhur me ngjarjen dhe vetëm 5 ditë më pas, në kulmin e hetimeve, televizioni “Klan” raporton se ai është larguar nga Shqipëria.
Kështu, me një ngathtësi olimpike e tepër të dyshimtë, mësohet se Prokuroria e Krimeve të Rënda ende nuk ka lëshuar një fletëthirrje për Castro-n.
Ndërkohë nga ana tjetër, Prokuroria ka kërkuar arrestimin e 5 punonjësve të ITCS-së, kompanisë përgjegjëse për sigurinë në aerport, dëshmitë e së cilëve kanë ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në supergrabitjen e 8 prillit.
Por duket se do të jetë sërish e largët dita që Prokuroria do të arrijë vërtet të vërë me shpatulla pas muri Rolf Castro-Vasquez, pasi për të dytën herë drejtori i TIA-s “pushon” i qetë në ndonjë vend të botës, ndërkohë që kompania e tij që vetëm investime nuk ka bërë në Rinas, vijon të lejojë vjedhjet e milionave ditën për diell.