Gjykata e Elbasanit ka vendosur të lirojë 2 rusët dhe ukarainasin e akuzuar për spiunazh, të cilët tentuan të hynë në ish-zonën ushtarake në Gramsh dhe hodhën spray djegës tek rojet ushtarake të objektit. Vendimi vjen pasi ndonëse i është bërë kërkesë SPAK-ut, por për shkak të ngarkesës kanë skaduar afatet e paraburgimit.
Mësohet se Svetlana Timofevaa dhe ukrainasin Fedir Alpatov do të qëndrojnë nën masën detyrim paraqitje dhe Mikhail Zorin në arrest shtëpiak. Kjo masë do të jetë në fuqi deri në mbyllje të hetimeve.
Pas arrestimit dhe ngritjes së akuzave për spiunazh atyre u është caktuar masa e arrestit me burg masë e lënë në fuqi edhe nga apeli Durrësit.
Megjithatë, hetimet vazhdojnë e 3 shtetasit pengohen të dalin jashtë vendit.
Njoftimi i Prokurorisë: Njoftim për media
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan njofton se ditën e djeshme më datë 24.05.2023 ka depozituar në gjykatë kërkesën për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për dy shtetas rus M.Z dhe S.T si dhe për shtetasin ukrainas F.A të paraburgosur në kuadër të procedimit penal nr.1168/2022.
Kjo kërkesë është depozituar në zbatim të përcaktimeve ligjore të parashikuara nga nenet 263 dhe 264 të K.Pr.Penale për shkak se janë plotësuar afatet ligjore të paraburgimit dhe hetimet paraprake nuk kanë mundur të përfundohen për arsye të kompleksitetit dhe vështirësive të hetimeve, ku të dhëna konkrete priten nga ekspertime që janë duke u kryer në agjensi ligjzbatuese partnere.
Në zbatim të nenit 266 të K.Pr.Penale është kërkuar në gjykatë që për nevoja të vijimit të hetimeve ndaj të hetuarve S.T dhe F.A të caktohen masat e sigurimit detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit (n.233 dhe n.234) dhe ndaj të hetuarit M.Z masa e sigurimit arrest në shtëpi (n.237).
Cështja do të shqyrtohet në seancë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Ju faleminderit.