Policia greke ka zbardhur detaje të reja nga arrestimi i Laert Haxhiut në Janinë mbrëmjen e së hënës. Ai akuzohet për masakrën e Lushnjes me dy të vdekur dhe të plagosur pak vite më parë. Rivali i Aldo Bares fshihej në Greqi me identitetin e një gjeorgjiani.
Sipas policisë greke, Laert Haxhiu 31 vjeç nga Lushnja dhe Juxhin Barjami 35 vjeç nga Delvina, po udhëtonin së bashku me një shqiptar 22 vjeç, i cili rezulton i kërkuar në Shqipëri për “plagosje të rëndë me dashje” në bashkëpunim.
Tentativa për arratisje mori fund me prangosjen e tyre.
Ai është kapur me një BMW X6, së bashku me dy shokë të tij.
Laert Haxhiut policia greke i ka gjetur një kartë false identiteti greke dhe pas verifikimeve ka rezultuar i kërkuar nga INTERPOL Tirana.
Ndaj tre të arrestuarve janë ngritur akuzat “shkelje të ligjit mbi emigrantët”, “falsifikim”, “mosbindje” dhe “deklarim i rremë”. Atyre u janë sekuestruar 1400 euro dhe 4 celularë si dhe mjeti BMW X6 i Juxhin Barjamit.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë, në vitin 2017, e ka dënuar Laert Haxhiun për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Po ashtu Laert Haxhiu është marrë i pandehur dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga GJKKO për masakrën e Lushnjës në 2017, ku vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por u shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjes.
GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin, të shpallur fajtor për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, si dhe plagosjen e Bujar Turkut dhe Marius Xhepexhiut, në Lushnjë në 2017. Në këtë atentat u plagosën Marjus Xhepexhiu dhe Bujar Turku. Veç akuzës së vrasjes në rrethana cilësuese të një ose më shumë personave, Bilbili akuzohet për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal”.