Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE), në takimin e tyre në Bruksel pritet që ditën e sotme të diskutojnë për disa çështje, veçanërisht për situatën në Ballkanin Perëndimor, me theks të veçantë procesin e normalizimin midis Kosovës dhe Serbisë.
Në takimin e sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së në Bruksel, ministrave të vendeve anëtare do t’iu bashkohen edhe ministrat e Punëve të Jashtme nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, pritet që edhe nga ky takim të përsëritet thirrja për progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe zbatimin e të gjitha detyrimeve që palët kanë marrë përsipër në kuadër të dialogut.
Bashkimi Evropian pritet të përsërisë edhe një herë përkushtimin për të vazhduar ndihmën për rajonin, por edhe të kërkojë nga këto vende të kryejnë obligimet e marra për të zbatuar reformat dhe për t’u përshtatur edhe me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Të dyja palëve ju kërkohet që të mbështesin aspiratat e njëra-tjetrës për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.
Presidenti serb, Vuçiç ka vënë si kusht për ecurinë e bisedimeve zbatimin nga ana e palës kosovare të marrëveshjes së vitit 2013 për themelimin e bashkësisë së komunave serbe.