Kreu i Lëvizjes Bashkë Arlind Qorri, i cili doli i treti në zgjedhjet lokale në Tiranë, ka komentuar këtë rezultat mjaft të mirë për të dhe e ka konsideruar atë si një rreze shprese për demokracinë. Qorri falenderoi mbi 13 mijë qytetarë që jo vetëm votuan por e besuan në këtë forcë politike.
“Në Shqipërinë tonë kaq të keq qeverisur e cila vjedh, me një opozitë me një histori po aq të korruptuar mendoj se ka vetëm një rreze shprese dhe ata janë 13800 qytetarët e Tiranës, që jo vetëm na kanë votuar por edhe na kanë besuar. Të kisha mundësi do u puthja dorën për t’i falënderuar. Në një situatë ku shqiptarët duan të largohen sa më parë, këta 13 mijë qytetarë na kanë besuar. Shumë qytetarë na kanë përcjellë mesazhin “Mos na tradhtoni!”. Unë ju them se nuk do tradhtojmë besimin tuaj,” tha Qori.
Qori po ashtu i ka bërë apel çdo qytetari apo forcë politike të ndershme që tu bashkohet.
“I bëj thirrje çdo qytetari të ndershëm që të bashkohet në një përpjekje të përbashkët për të mbrojtur drejtësinë shoqërore dhe për të përparuar në terrenin e drejtësisë dhe demokracisë. Ne çdo ditë do të përpiqemi sërish”, u shpreh Qori.
Qori foli dhe për synimet në zgjedhjet e ardhshme, duke thënë se do të kenë deputetët e tyre në parlament.
“Lëvizja Bashkë do të marrë pjesë në çdo zgjedhje, në të gjithë shqipërinë, ne do të kemi deputet tanë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, sigurisht nuk do të jem unë deputeti i parë,” tha Qori.
Qori tha se çdo para e dhuruar për lëvizjen Bashkë është përdorur për infrastrukturën modeste të fushatës së tyre. Ai garantoi se lëvizja tashmë do të konkretizohet në aksionin politik dhe premtoi rezistencë përballë PS.
“Paratë tona kanë shkuar për biçikleta dhe bileta autobusash. Falënderoj mbështetësit tanë që janë duke monitoruar rezultatin e zgjedhjeve që kanë parë te Lëvizja Bashkë lidhjen. Tirana dhe Shqipëria po gdhihen të zymta. Asnjë pushtet nuk ka qenë kurrë kaq i korruptuar sa Edi Rama dhe Erion Veliaj. Lajmi që Veliaj do të drejtojë bashkinë do të thotë më shumë kulla e më parqe. Tirana dhe Shqipëria kanë një mundësi më të madhe rezistence. Kanë lëvizjen bashkë dhe 13 mijë e 800 qytetarët e Tiranës që na kanë votuar. Të mbrojmë demokracinë dhe të përparojmë si në demokracinë dhe te të drejtat”, u shpreh ai.