Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen vizitoi sot Kievin në Ditën e Evropës, në një shprehje solidarizimi dhe simbolizmi përballë agresionit të vazhdueshëm rus. Zonja von der Leyen foli në krah të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të ardhmen evropiane të Ukrainës ndërsa në Moskë, në ditën kur Rusia shënon fitoren ndaj Gjermanisë naziste, Presidenti Vladimir Putin tha se vendi i tij është i bashkuar në luftën përballë Perëndimit lidhur me Ukrainën.
Zonja von der Leyen tha se Ukraina po lufton përballë Rusisë për “vlerat evropiane”.
“Ukraina është në vijën e parë të mbrojtjes së gjithçkaje që ne evropianët e kemi të shtrenjtë: lirinë tonë, demokracinë tonë, lirinë e mendimit dhe të fjalës. Me guxim, Ukraina po lufton për idealet e Evropës që ne nderojmë sot”, tha zonja von der Leyen.
Vizita e saj në Kiev në Ditën e Evropës, vjen një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy tha se vendi i tij që tani e tutje do ta festojë këtë ditë “së bashku me të gjithë Evropën e lirë”.
“Më lejoni të përshëndes ngrohtësisht vendimin tuaj për të bërë 9 majin Ditën e Evropës edhe në Ukrainë”, tha zonja von der Leyen.
Me dekretimin e 9 majit si Dita e Evropës, Ukraina rithekson ambicien e saj për t’u bashkuar me institucionet perëndimore pas aplikimit për t’u anëtarësuar në BE vitin e kaluar pas fillimit të agresionit nga Rusia.
Por me gjithë mbështetjen ndaj Ukrainës me ndihma dhe paisje ushtarake, ambicjeve të saj evropiane dhe sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, anëtarësimi duket të jetë ende një objektiv i largët, gjë që ka shkaktuar zhgënjim të dukshëm në Ukrainë.
Gjatë vizitës në Kiev, Presidentja e Komisionit Evropian bëri nderime për ushtarët ukrainas të vrarë që nga viti 2014.
Në vizitën që ajo e filloi pak përpara se Presidenti rus Vladimir Putin të shënonte fitoren e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore, zonja von der Leyen tha se Rusia “ka dështuar në mënyrë dramatike”.
“Ukraina i ka rezistuar sulmit dhe po lufton me sukses. Pse? Para së gjithash, sepse si një shoqëri e lirë, Ukraina mund të mbështetet në trimërinë e palëkundur të miliona grave dhe burrave të saj. Ata luftojnë për vlerat tona evropiane.”
Në fjalimin e tij në paradën ushtarake vjetore në Sheshin e Kuq të Moskës, Presidenti Putin tha se rusët ishin të bashkuar në një luftë “të shenjtë” përballë Perëndimit për Ukrainën.
“Një luftë e vërtetë është hapur përsëri kundër atdheut tonë. Por ne po luftojmë kundër terrorizmit ndërkombëtar. Ne gjithashtu do ta mbrojmë popullin e Donbasit dhe do të garantojmë sigurinë tonë”, tha ai.
Zoti Putin e ka krahasuar vazhdimisht luftën në Ukrainë – të cilën ai e ka portretizuar si një lëvizje mbrojtëse kundër një Perëndimi që do të copëtojë Rusinë – me sfidën me të cilën u përball Moska kur Adolf Hitleri pushtoi Bashkimin Sovjetik në vitin 1941.
Kievi dhe Perëndimi e akuzojnë presidentin rus për një luftë të paprovokuar në Ukrainë. Ata mohojnë pretendimin e tij se zgjerimi i aleancës së NATO-s deri pranë kufijve të Rusisë përbën një kërcënim për sigurinë e saj ose justifikon sulmin e Moskës.
Rusia ka intensifikuar së fundmi sulmet me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Ukrainë, ndërsa forcat e Kievit përgatiten të nisin një kundërofensivë në përpjekje për të rimarrë territorin e marrë nën kontroll nga Rusia.
Rusia lëshoi të paktën 25 raketa gjatë natës, pjesa më e madhe e të cilave drejt kryeqytetit Kiev, por pothuajse të gjitha u rrëzuan, thanë zyrtarët ukrainas./VOA