Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA, ka deklaruar se asnjëherë nuk ka kërkuar që të hiqet kjo masë e vendosur. Në një intervistë për gazetaren Merita Haklaj, ai u zotua se nuk do të shkelë kurrë më në SHBA sa të jetë në detyrë sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken. Gjithashtu Berisha është shprehur se nuk do të heq dorë nga padia në gjykata deri ditën e tij të fundit.
“Unë nuk kam kërkuar kurrë që të hiqet kurrë ky vendim, e kam hedhur në gjyq për shpifje sekretarinë shtetit. Kam deklaruar se sa të jetë ai në detyrë unë nuk do shkel kurrë në atë vend. Do të vazhdoj padinë në gjykata deri në ditën e fundit time, sepse ai ka marrë një vendim korruptiv të bazuar mbi vendimin korruptiv të Soros e Ramës dhe tani del mafia McGonigal me kompani. Unë kam zgjedhur sallën e gjyqit dhe kërkesën për ndjesë publike nga sekretari i shtetit që nuk ta bëjë kurrë se ata që marrin vendime të tilla arroganca nuk i lejon të ndërmarrin”, u shpreh Sali Berisha.
Kujtojmë që më 19 mars 2021, Sali Berisha dhe familja e tij u shpallen “non grata” nga SHBA.