Skip to content
Të Gjitha

Sekuestrimi i vilave të bashkëjetueses dhe ish-gruas së Ahmetajt, GJKKO merr vendimin

· 2 min lexim

Ditën e sotme, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin për sekuestrimin e  pasurive të bashkjetueses së ish zv-kryeministrit Arben Ahmetaj.  Bëhet e ditur se gjyqtari i apelit të GJKKO-së, Dhimitër Lara, miratoi masën e sekuestros për sekuestrimin e vilës në Hamallaj.  Ndërkohë që sjellim në vëmendje se Erjola Hoxha, bashkëjetuesja e Arben Ahmetajt, apeloi vendimin për sekuestrimin e vilës së saj me pretendimin, se ende nuk është marrë asnjë vendim në lidhje me fajësinë e ish zëvendëskryeministrit, e për pasojë është shkelur parimi i prezumimit të pafajësisë.

Gjithashtu, në kërkesën për apelimin e vendimit, thuhet se si pasojë e një vendimi të tillë, Hoxha dhe vajza e saj 2-vjeçare janë detyruar të largohen nga banesa. Javën e fundit të marsit, Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, iu drejtua me kërkesë Gjykatës së Posaçme për sekuestrimin e vilës së bashkjetueses së tij në Hamallaj, kërkesë e cila u pranua nga GJKKO.

Gjithashtu nën sekuestro është vendosur edhe vila e tij në Palasë, e cila rezulton në pronësi të ish bashkëshortes së tij. Kjo masë mësohet se vjen si vijim i hetimeve të nisura ndaj zyrtarit të lartë, për inceneratorin e Elbasanit.

 VENDIMI:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari DhimitĽr Lara, sot më datë 26.04.2023, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 70 akti, datë 12.04.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit E.H., E.D., kundër vendimit nr. 137 datë 23.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka disponuar mbi caktimin e masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive, mbi pasuritë e paluajtshme.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 137, datë 23.03.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ankuesit znj. EH. Dhe znj. E.D.