Moderatorja e emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët”, në “News 24”, Ola Bruko është bërë pjesë e debatit të hapur më herët për një nga fëmijët më të shkathët të “Në kurthin e Piter Pan”.
Bëhet fjalë për Xheisonin, për të cilin Olti Curri u shpreh më herët se produksioni nuk duhet ta shndërrojë në “lypës” duke kërkuar para për të ndihmuar familjen e tij, por duhet ta paguajë me rrogë të plotë siç paguhet çdo personazh i njohur që bën spektakël të ngjashëm në “TV Klan” (lexo këtu).
Por Ola Bruko ka ngritur një tjetër shqetësim për vogëlushin, i cili njihet gjerësisht si “taramelja”. Ajo shprehet se programi televiziv i ka vendosur një damkë Xheisonit që do ta shoqërojë gjithë jetën.
Ajo shton se Xheison edhe mund të tallet në të ardhmen dhe për këtë nuk po mendon asnjë njeri. Moderatorja ngre edhe çështjen e fëmijëve të tjerë të emisionit dhe gjendjen e tyre ekonomike.
Për më tepër lexoni statusin e plotë:
“Emisionin “Piter Pan” s’e kisha parë deri në momentin kur i ftuar ishte miku im Sidrit Bejleri. E ndoqa deri në fund atë natë dhe me thënë të drejtën, qesha edhe unë me pyetjet e fëmijëve dhe përgjigjet e Sidit. Ndërkohë vura re se disa prej fëmijëve bënin më shumë se një pyetje dhe të tjerë një ose asnjë. Programin po e shikoja me vajzën time 6-vjecare e cila befas me pyet: mami po këta fëmijët e tjerë pse nuk janë si këta dy djemtë që flasin shumë? Nuk i lënë prindërit të flasin? Ky perceptim i një fëmije 6-vjeçar më shtyu t’i shoh me tjetër sy minutat e mbetura të emisionit. Vajza ime kishte të drejtë; disa fëmijë aty flisnin më shumë se disa të tjerë. Nuk e di nëse kjo është një zgjedhje regjisoriale, por nëse është kështu mendoj se është e gabuar. Diferencimi nuk iu bën mirë fëmijëve. Në psikiken e tyre krijohet mendimi se ata nuk do të jenë kurrë “të përzgjedhur” nga dikush dhe kjo i shoqëron pa e kuptuar gjithë jetën. Mes këtyre fëmijëve të këtij programi televiziv ndodhet edhe i etiketuari “taramelja”! Këtij fëmije të zgjuar e të mirë i është vendosur një damkë që do ta shoqërojë gjithë jetën! Tani ai ndoshta e pëlqen, edhe familja e tij gjithashtu se i biri u bë i famshëm. Po kur të rritet çdo të ndodhë? Ai mund të bullohet për këtë shkak. Ka menduar njeri për këtë? Thuhet se ky fëmijë është i varfër dhe se i pikon shtëpia. Po fëmijët e tjerë në atë program në ç’kushte jetojnë? Iu pikon shtëpia edhe atyre? Do të ndiqet situata e tyre social-ekonomike? Apo sa të mbarojë show do fillojë përzgjedhja e fëmijëve për edicionin e radhës, me kënaqësinë se në këtë sezon u arrit niveli i duhur i shikueshmërisë?”
Burimi:Iconstyle.al