Skip to content
Të Gjitha

Tentativa për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, ja sa raste janë shënuar gjatë këtij viti

· 2 min lexim

Korrupsioni dhe ryfshetet mbeten ende një sfidë për policinë rrugore.  Gjatë këtij viti janë goditur 20 raste tentative, për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, sakaq gjatë 24 orëve të fundit janë goditur 2 raste të mitëdhënies, nga 20-vjeçari me iniciale E.K dhe 36-vjeçari me iniciale R.M, me qëllim shmangien e masës administrative.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Policia Rrugore vijon kontrollet e dedikuara për evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit, që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

Si rezultat i kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka goditur 2 raste të mitëdhënies, me qëllim shmangien e masës administrative.

Shkon në 20 numri i rasteve të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë Rrugore, të goditura gjatë këtij viti, nga Policia Rrugore e Tiranës.

Gjatë kontrolleve parandaluese, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në shkelje automjetet me drejtues shtetasit E. K., 20 vjeç, dhe R. M., 36 vjeç. Me qëllim shmangien e masave administrative për shkeljet e kryera, këta shtetas i kanë ofruar punonjësve të Policisë, shuma të ndryshme parash.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për këta 2 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.