Autoritetet amerikane arrestuan të enjten një 21-vjeçar që punonte në një bazë ushtarake në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve të fshehta të zbulimit, përfshirë sekrete mbi luftën në Ukrainë. Rrjedhja e dokumenteve ka ngritur pyetje të reja në lidhje me aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur sekretet më të ndjeshme.
Autoritetet amerikane arrestuan 21-vjeçarin Jack Teixeira në një shtëpi në Dighton të Masaçusetsit, nën dyshimet si autori i rrjedhjes së dokumenteve sekrete të zbulimit dhe ushtrisë. Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Merrick Garland foli pas arrestimit të të dyshuarit nga agjentët e FBI-së.
“Departamenti i Drejtësisë arrestoi Jack Douglas Teixeira-n në kuadër të një hetimi nën dyshimet për marrjen, mbajtjen dhe publikimin e paautorizuar të informacionit të klasifikuar të mbrojtjes kombëtare. Teixeira është një punonjës i Gardës Kombëtare të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara”, tha ai.
Zoti Garland nuk dha ndonjë motiv të mundshëm për nxjerrjen e informacioneve, por persona që kishin komunikuar me të në platformën e komunikimeve private Discord, ku u shfaqën dokumentet, kanë thënë se zoti Teixeira ishte më i motivuar nga dëshira për të shitur mend, sesa ideologjia.
Arrestimi i së enjtes ishte një moment kyç në hetimin për rrjedhjen e informacionit të zbulimit të profilit më të lartë prej vitesh dhe ushtria dhe Departamenti i Drejtësisë po vazhdojnë të hetojnë se si ka mundësi që sekretet qeveritare të publikuara në një platformë private si Discord, qarkulluan në mbarë botën.
Arrestimi u bë pasi gazeta Washington Post dhe media të tjera njoftuan të mërkurën vonë se personi përgjegjës për rrjedhjen, i kishte publikuar dokumentet në Discord.
Lajmi për rrjedhjen e dokumenteve u bë i njohur javën e kaluar. Mes tyre janë harta të pozicioneve ushtarake ukrainase dhe vlerësime të hollësishme nga Uashingtoni mbi
Fakti që anëtari i Gardës Kombëtare rezultoi si i dyshuari kryesor, po shtron pyetjen se si ka mundësi që një shkelje kaq e rëndë, që Pentagoni e quajti një “rrezik shumë serioz për sigurinë kombëtare”, mund të jetë shkaktuar nga një pjesëtar kaq i ri dhe i një rangu të ulët.
Zoti Teixeira ishte specialist i sistemeve të transportit kibernetik, që do të thotë një specialist i teknologjisë, përgjegjës për rrjetet e komunikimeve ushtarake.
Disa orë pas arrestimit, kryetari i Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Turner, lëshoi një deklaratë ku premtoi se do të “analizojë se pse ndodhi kjo, pse kaloi pa u vënë re për javë të tëra dhe si të parandalohen rrjedhjet në të ardhmen”.
Zoti Teixeira, do të paraqitet para një gjykate në Masaçusets të premten. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse ai ka një avokat që mund të flasë në emër të tij.
Zyrtarët e Pentagonit folën të enjten për masat e tyre të sigurisë.
“Gjithsesi është e rëndësishme të kuptojmë se ne kemi rregulla të rrepta për ruajtjen e informacionit të klasifikuar dhe të ndjeshëm. Ky ishte një akt kriminal i qëllimshëm, një shkelje e atyre rregullave”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Pat Ryder.
Administrata e presidentit Biden ka bërë përpjekje intensive për të vënë nën kontroll pasojat e mundshme diplomatike dhe ushtarake nga rrjedhjet që kur u njoftua për herë të parë për to javën e kaluar, duke marrë masa për të siguruar aleatët dhe për të vlerësuar përmasat e dëmit.
Megjithatë Presidenti Joe Biden, i cili ndodhet në Irlandë, theksoi se Departamenti i Drejtësisë po vazhdon hetimin dhe e minimizoi rrjedhjen.
“Nuk jam i shqetësuar për rrjedhjen. Jam i shqetësuar që ndodhi. Por nuk ka asgjë që të më bëjë të mendojë se pasojat janë të rënda”, tha ai.
Departamenti i Drejtësisë po drejton hetimin penal për rrjedhjen./VOA