Vendimi i qeverisë për rritjen e pagës minimale është i treti brenda vitit, duke sjellë që paga e detyrueshme për punonjës të rritet me 33% brenda 12 muajve. Në pranverë të vitit të kaluar, paga minimale ishte 30 mijë lekë. Me vendim të posaçëm, qeveria e rriti në prill në 32 mijë lekë.
Me një vendim të dytë në shtator të vitit 2022, paga minimale u bë 34 mijë lekë. Me VKM-në e fundit, që hyn fuqi më 1 prill, arrin në 40 mijë lekë. Rritja e fundit ishte edhe më agresive me 6 mijë lekë, pasi pragu ndryshohej me nga 2 mijë lekë.
Në harkun kohor të një viti, paga minimale u rrit me 33%, ndërsa në katër vitet e mëparshme, 2017-2021, u rrit me vetëm 25%.
Bizneset e sektorit fason janë të alarmuar, pasi rritja e pagave ka hyrë në fuqi pasi janë negociuar çmimet me furnitorët. “Brenda një viti kemi negociuar me rritje për çdo sezon çmimet, nuk mund ta bëjmë më”, – tha Eva Laro, e cila drejton fabrikën e këpucëve “ProDyn”.
“Me shqetëson mënyra se si merren vendimet. Morën premtimin se rritja do të bëhej me dy faza. Rritja e menjëhershme me 18% është shumë e shpejtë dhe nuk lë kohë që të përmirësohet biznesi dhe produktiviteti”, – tha znj. Laro.
Në periudhën në vijim, ajo do të tregohet e kujdesshme për rritjen e çmimeve, pasi po rrezikon humbjen e klientëve, pasi tashmë, e ka humbur një nga klientët.
Znj. Laro tha se, rritja e pagës minimale erdhi në një moment të vështirë kur sezoni nisi me ulje të porosive, për shkak të ekonomisë globale me rënie. Ajo thotë se shumë fabrika do të përballen me vështirësi, për shkak të rritjes së kostove të pagave dhe rënies së porosive.
Ndërkohë është rritur interesi nga industria e modës në Europë për të transferuar prodhimin në Indi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, tha për “Monitor” se nga ndryshimet, përfituesi më i madh do të jetë shteti, ndërsa rritja do të rëndojë kostot e tyre.
“Me rritjen nga 1 prilli të pagës minimale, gradualisht do të rritet paga edhe për punonjësit që paguhen 40,000 lekë, pasi nuk mund të jetë në nivele të njëjta me një punonjës që ka përvojë profesionale dhe produktivitet. Nivelin e pagës minimale e kalojnë 30 deri në 40% e punonjësve të sektorit.
Pra rritja dhe kostoja e një biznesi të sektorit do të jetë edhe më e lartë. Kjo do të jetë gropa më e madhe për sektorin fason. Rritja e pagës minimale rrezikon të kthehet në bumerang.
Në anën tjetër është e nevojshme të bëhet kjo rritje. Por që barra të mos rëndojë vetëm te biznesi duhet të shoqërohet me lehtësi fiskale, me qëllim që të rritet produktiviteti dhe konkurrueshmëria, në cilësi dhe makineri të reja”, tha ai.
Z.Prençe tha se, përveç rritjes së kostove nga paga minimale, rënia e Euros është një shqetësim madhor për industrinë, kur në shtetet fqinje si Serbia apo Maqedonia e Veriut, kanë kursin e fiksuar dhe të mbrojtur me ligj.
Mungesa e punonjësve, produktiviteti i ulët, amortizimi i impianteve prodhuese dhe rritja e karburantit që ndikon në shtimin e kostos së transportit të punonjësve dhe të mallrave po mban peng produktivitetin.
“Këto elemente na bëjnë jo vetëm të humbasim konkurrueshmërinë në Ballkan, por edhe kontratat afatgjata dhe solide me markat europiane, që po orientohen drejt vendeve afrikane apo Uzbekistan, me çmime më të ulëta dhe më shumë punonjës se manifaktura ‘Made in Albania’ e veshjeve dhe këpucëve”, pohoi z. Prençe.
Të financojmë “trurin”, që të rrisim pagën minimale
Që të jetë efektive, rritja e pagave duhet të vijë nga rritja e vlerës së punës dhe të ruajë një ritëm shpërndarje të njëjtë në të gjithë hierarkinë. Selami Xhepa, ekspert i njohur i ekonomisë, president i Universitetit Europian të Tiranës tha se paga minimale po rritet me ritme të shpejta drejt mesatares.
“Mendoj se paga minimale i ka kaluar caqet e së arsyeshmes, sepse po shkon drejt nivelit të pagës mesatare. Paga minimale nuk duhet të kalojë 40% të pagës mesatare”, tha z. Xhepa.
Në vitin 2017, paga minimale bruto në vendin tonë ishte sa 47% e pagës mesatare bruto. Me rritjen e pagës minimale në 40 mijë, arrin afërsisht 60% të pagës mesatare bruto.
Hendeku ndërmjet pagës minimale dhe asaj mesatare në vend sa vjen e ngushtohet, ndërkohë që në vendet e zhvilluara, kryesisht në Europë, paga minimale është afërsisht sa 40-45% e pagës mesatare bruto.
P.sh., në Gjermani, paga minimale ishte 1730 euro në vitin 2022, ndërsa paga mesatare, 4168 lekë. Në Shqipëri, në të njëjtin vit, paga minimale ishte 34 mijë lekë dhe paga mesatare 61,613 lekë.
Nga viti 2019 deri më prill 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Ekspertët e ekonomisë pohojnë se rritja e pagave minimale me ritme më të larta se paga mesatare po deformon strukturën e pagave dhe po mban në vendnumëro pagat e profesionistëve, të cilat janë prekur njësoj nga inflacioni.
Kjo do të jetë më e ndjeshme për sektorin shtetëror, ku pagat e shoferëve dhe pastruesve gati barazohen me pagat e nëpunësve
Alban Zusi thotë se, duhen krijuar kushtet dhe stimujt që bizneset të financojnë mendjen. “Menaxherët dhe drejtuesit e mi janë ata që gjejnë tregje, rrisin vlerën e produkteve dhe krijojnë mundësi për rritjen e pagave për punonjësit e thjeshtë. Ai tha se, në njësitë e tij të prodhimit, një punonjës nuk mund të prodhojë më shumë njësi pavarësisht nga paga, por është menaxheri dhe tekniku ai që rrit vlerën e punës.
Sipas z. Zusi duhen të rriten stimujt dhe bonuset për aftësitë e larta të punës. P.sh. një novacion që shton vlerën e të ardhurave në treg duhet të subvencionohet.
“Një nga menaxherët e mirë, me një investim 3 mijë euro në një pajisje laboratorike shtoi me 20 mijë euro të ardhurat për kompaninë, pasi krijoi kushtet për prodhimin e një produkti të ri, me vlerë të lartë në fabrikë.
Z.Zusi tha se ekonomia shqiptare bazohet në një model ku bizneset shfrytëzojnë si avantazh krahun e lirë të punës, por në këtë mënyrë nuk mund të rriten të ardhurat. “Duhet të investojmë fillimisht te menaxherët dhe drejtues të aftë, në mënyrë që të orientojmë prodhimin nga produktet me vlerë të lartë në tregje”.
Erald Pashaj, ekspert i burimeve njerëzore, shpjegoi se edhe në vitin 2023, kërkesa për punë do të jetë më e lartë për profile të ulëta, por do të ketë hapësira edhe për profesionistët. Gjithsesi ai parashikon se ritmet e rritjes do të jenë më të larta për pagat më të ulëta me rreth 20% në vitin aktual, ndërsa paga mesatare do të rritet rreth 10%.
Kontabilisti Ahmet Gjinishi thotë se me propozimet e vazhdueshme të rritjes së nivelit të pagës minimale, shteti kërkon të shkarkojë përgjegjësi mbi sektorin privat, ku ky i fundit, jo vetëm të përballojë shpenzimet e punëmarrësve, por t’i paguajë shtetit edhe gati 28% sigurime shoqërore e shëndetësore.
Sipas tij, shteti si rregullator, duhet të orientojë ekonominë drejt një modeli që prodhon paga më të larta në mënyrë natyrale dhe jo artificiale. /RevistaMonitor