Ministri tha se do ta informojë publikun nëse ndonjë vend tjetër do të dërgojë kërkesë për ekstradim.
“Në rast se marrim disa kërkesa për ekstradim, dua të them se përcaktimi se në cilin shtet do të ekstradohen do të bazohet në disa faktorë, si peshën e veprës penale të kryer, vendndodhjen dhe kohën kur është kryer vepra, radhën në të cilën kemi marrë kërkesën për ekstradim, dhe disa faktorë të tjerë”, tha ai.
Ai shtoi se SHBA-ja dhe Koreja e Jugut i kanë kërkuar gjithashtu edhe laptopët e sekuestruar nga dy të dyshuarit.
Një ditë pas arrestimit, më 24 mars, Mali i Zi i akuzoi të dy për falsifikim. Atyre iu caktua masa e paraburgimit nga autoritetet malazeze – e cila mund të zgjasë maksimum 30 ditë.
Do Kwon kërkohet nga Shtetet e Bashkuara, Koreja e Jugut dhe Singapori për atë që Komisioni amerikan i Shkëmbimit dhe Letrave me Vlerë (SEC) e quan “orkestrim të një mashtrimi prej miliarda dollarësh të letrave me vlerë të aseteve kripto”.
“Ne pretendojmë se Terraform dhe Do Kwon nuk arritën t’i ofrojnë publikut një zbulim të plotë, të drejtë dhe të vërtetë, ashtu siç kërkohet për një mori letrash me vlerë të aseteve kripto, veçanërisht për Luna dhe Terra USD”, tha kryetari i SEC-it, Gary Gensler në një deklaratë në shkurt.
“Ne gjithashtu pretendojmë se [Terraform dhe Kwon] kryen mashtrime duke përsëritur deklarata të rreme dhe mashtruese për të ndërtuar besim përpara se të shkaktonin humbje shkatërruese për investitorët”, shtoi ai.
Shumë investitorë humbën kursimet e tyre kur Luna dhe Terra USD kolapsuan, duke rënë në një vlerë afër zeros. Pasojat nga kolapsi i Terraform Labs ndikuan gjithashtu në tregun më të gjerë të kriptovalutave./REL