Ditën e djeshme vendi u trondit nga breshëria e plumbave ndaj godinës së televizionit “Top Channel”, teksa mbeti viktimë roja Pal Kola. Ndërkohë që gazetari Neritan Sejamini ka folur në lidhje me ngjarjen e rëndë, ku shprehet se ai nuk mendon që ky atentat lidhet me fjalën e lirë, por me interesa të tjera. Sjellim në vëmendje që “Top Chanel” me anë të një deklarate zyrtare ditën e djeshme u shpreh se sulmi lidhet me misionin e televizionit që është fjala e lirë. Sipas Sejaminit paraqitet alarmante zhvillimi i krimit në Shqipëri, i cili tashmë nuk pyet madje as për media që kanë marrëdhënie miqësore me pushtetin. Gazetari e mbyll shkrimin e tij duke thënë që i vetmi pushtet mbizotërues në Shqipëri është krimi.
“Është vrarë një viktimë e pafajshme. Është goditur një ndërtesë që i përket një media. Shteti nuk ka bërë asgjë. Krimi është fuqizuar aq shumë, sa nuk pyet më as për median, madje edhe për media që ka raporte miqësore me pushtetin.
E kam të vështirë të besoj se ky sulm, është bërë nga njerëz që kanë frikën e fjalës së lirë. Mendoj se është një sulm që është bërë për interesa të tjera. Ky nuk është mesazh për gazetarët, por është mesazh që media nuk duhet të përfshihet në gjëra të caktuara. Ne kritikojmë qeverinë, nga mëngjesi deri në darkë dhe biznesin. Jemi të rezervuar kur kritikojmë median edhe pse është pjesë e problemit. Media duhet të mbajë nën kontroll pushtetin, të kërkojë llogari, të informojë publikiun. Sot kemi media shumë miqësore me pushtetin. Nuk di të ketë investigime të mëdha dhe befas kjo media gjendet në një nga krimet më të rënda. Kjo kurajo kaq e madhe, ndaj një objekti të tillë, që siç e thatë është vijë e kuqe, tregon se luhen interesa të tjera që nuk kanë të bëjnë me fjalën e lirë. Ka patur zhvillime të mëdha, raportin e DASH, që bën pasqyrë dramatike të gjendjes së medias, flet për gjobvënës, media që u shërben interesave të pronarëve, përfshirjen e medias me krimin, etj. Po ballafaqohemi edhe me këtë sektor, që ka qenë jashtë analizës tonë. Kemi glorifikuar gjithmonë krimin si shoqëri, me naivitetin tonë. Le të marrim ne ca pare, se vdesin të huajt me kokainë dhe heroinë… Sot po zgjohemi ndaj realitetit të krimit. I vetmi pushtet në Shqipëri që është Zot, është krimi, as biznesi dhe as media, por krimi”, deklaroi Sejamini.