Koreja e Veriut ka lëshuar disa raketa më 22 mars, tha ushtria e Seulit. Lëshimi i fundit i raketave vjen në kohën kur Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara po mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake.
“Ushtria e Koresë së Jugut ka detektuar lëshimin e disa raketa në Detin e Lindjes” nga Koreja e Veriut, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë së Seulit, duke iu referuar detit që njihet edhe si Deti i Japonisë.
“Detajet specifike po analizohen nga autoritetet e inteligjencës së Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara”, u tha në deklaratë.
Pasi vitin e kaluar, Koreja e Veriut testoi një numër rekord të armëve dhe rriti kërcënimin bërthamor, Seuli dhe Uashingtoni kanë rritur bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe më 13 mars kanë nisur stërvitjet e përbashkëta ushtarake, që janë më të mëdhatë në pesë vjetët e fundit.
Të njohura si Mburoja e Lirisë, stërvitjet do të mbahen për të paktën dhjetë ditë.
Ushtria e Koresë së Jugut tha se do të “kryejë me sukses stërvitjet e planifikuara nën një qëndrim të fortë të mbrojtjes”.
Koreja e Veriut i sheh të gjitha stërvitjet ushtarake si përgatitje për pushtim dhe thotë se ato janë “shpallje e luftës”. Phenjani vazhdimisht ka kërcënuar se do të ndërmarrë masa të mëdha për t’iu kundërpërgjigjur stërvitjeve ushtarake.
Lëshimet e raketave më 22 mars vijnë një javë pasi Koreja e Veriut testoi raketën më të madhe dhe më të fuqishme, Hwasong-17. Ai ishte testimi i dytë gjatë këtij viti i një rakete balistike ndërkontinentale.
Media shtetërore verikoreane tha se lëshimi i raketës balistike ndërkontinentale u bë për shkak të stërvitjeve të SHBA-së dhe Koresë së Jugut.
Koreja e Veriut vitin e kaluar e shpalli veten si fuqi “të pakthyeshme” bërthamore dhe lideri verikorean, Kim Jong Un, së fundmi ka kërkuar një rritje “të madhe” të prodhimit të armëve, përfshirë edhe armëve taktike bërthamore.
Gjatë këtij muaji, Kim po ashtu ka urdhëruar ushtrinë e Koresë së Veriut që të intensifikojë ushtrimet për t’u përgatitur për “një luftë të vërtetë”. REL