Protestat janë simboli i një vendi demokratik dhe përfaqësojnë rezistencën që qeveria të limitohet në vendimet e saj, që jo gjithmonë janë të drejta dhe përgjithësisht cënuese.
Aq më tepër në një vend ku opozita është e përfshirë në problemet e saj të brendshme dhe paraqitet e përçarë, duke mos i dhënë vëmendjen e duhur çështjeve vërtetë shqetësuese për qytetarët. Një qeveri që ka 10 vite në pushtet ka fituar vetëbesimin se çdo gjë që planifikon të implementojë është e duhura për vendin, duke u treguar përgjithësisht indiferente ndaj zërit të masës. Projektet dhe vendimet e qeverisë shpesh herë kanë prekur zonat e mbrojtura natyrore dhe jo vetëm, por që në thelb janë atraksione dhe resurse për vendin tonë.
Qytetarët janë e vetmja pengesë e mbetur që qeveria të kufizohet në vrullin e saj për të shkatërruar pasurinë natyrore në funksion të interesave të oligarkëve.
Vlen të përmendim protestat e qytetarëve kundër ndërtimit të Hidrocentralit të Skavicës. Hidrocentrali i Skavicës është projektuar fillimisht në vitet 70’, si pjesë e Kaskadës së Drinit, por ndryshe nga HEC-t e tjera të kaskadës, ai nuk u ndërtua atëherë. Banorët kanë qenë vazhdimisht një “jo” e fortë në lidhje me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Gjithashtu, Vjosa ka qenë e shënjestruar nga qeveria, ku qytetarët kanë zhvilluar një numër të lartë protestash për të kundërshtuar projektet që e bënin “kurban” këtë zonë. Teksa para disa ditësh më në fund Vjosa u shpall ‘Park Kombëtar’, duhet të evidentojmë së për këtë kanë kountribuar vazhdimisht qytetarët me protestat e tyre. Një zë i fuqishëm në këtë kauzë ishte edhe aktori i mirënjohur Leonardo DiCapro, i cili vazhdimisht ka bërë fushatë që Vjosa të mbrohej. Fushata për mbrojtjen e Vjosës mori një shtysë kur Leonardo DiCaprio postoi në lidhje me të në Instagram në vitin 2019, duke thënë: “Ky është një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës: por për sa kohë?”
Pavarësisht se e mori statusin “Park Kombëtar” disa ditë më parë, në lumin Vjosa kanë zbarkuar mjetet e tonazhit të rëndë dhe fadromat, që vazhdojnë punën të qeta.
Po ashtu banorët e Bërxullës janë në “luftë” të hapur me qeverinë dhe kanë protestuar vazhdimisht duke bllokuar rrugën që lidh Tiranën me Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Banorët kërkojnë që të largohet firma që po kryen punimet pasi nuk ka leje ndërtimi dhe nuk ka leje për tu futur në pronat e tyre pa u dëmshpërblyer më parë për tokat me çmimin e tregut.
Theksojmë se rrjeti i Zonave të Mbrojtura të Shqipërisë përbën rreth 17% të territorit të Republikës –me rezervate natyrore të trashëguara nga regjimi komunist si dhe parqe e monumente natyrore, të cilat e fituan statusin e tyre të mbrojtjes pas viteve ’90.
Ndërkohë që duket se qeveria e ka marrë seriozisht që me projektet e saj të shkatërrojë një pjesë të mirë të këtyre zonave, që në të vërtetë janë një pasuri e vendit tonë. Përgatiti:Gazeta Reforma