Çmimet e larta të karburanteve vitin e kaluar duket se kanë tkurrur konsumin në produktet e naftës dhe benzinës, pasi buxheti i shtetit ka arkëtuar më pak të ardhura nga taksa e Qarkullimit Rrugor.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vitin e kaluar u arkëtuan 18,2 miliardë të ardhura nga kjo taksë me një rënie mbi 7 për qind në krahasim me vitin 2021 ku u grumbulluan 19.7 miliardë lekë.
Të ardhurat nga taksa e qarkullimit kanë një pozicion strategjik në të ardhurat tatimore pasi zënë gati 10% të totalit të arkëtimeve tatimore.
Taksa e qarkullimit mbi benzinën dhe gazoilin vilet në masën 27 lekë për litër për benzinën dhe 27 lekë për litër për gazoilin. Kjo taksë paguhet për sasinë e benzinës dhe të gazoilit të importuar apo të prodhuar në vend, me përjashtim të sasisë së benzinës dhe të gazoilit të prodhuar në vend, por të eksportuar jashtë territorit të Shqipërisë
Në vitin 2022 ministria e Financave kishte programuar të vilte 23,4 miliard lekë nga taksa e qarkullimit, por janë arkëtuar 18.2 miliard lekë, me një mosrealizim në vlerë prej 5.2 miliard lekë ose 22.0% më pak. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, të ardhurat ishin 1.5 miliard më pak.
Taksa e qarkullimit ka për qëllim të grumbullojë të ardhura nga përdoruesit e transportit dhe taksa vilet gjatë blerjes së karburantit, për çdo litër të konsumuar.
Fondet që grumbullohen nga tatimi janë shumë herë më të larta se buxheti vjetor për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave vitin e kaluar fondet e brendshme për infrastrukturën rrugore në të nijetin viti ishin rreth 16 miliardë lekë duke përfshirë mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve.
Sakaq taksat që paguajnë shqiptarët për rrugët janë shumë herë më të larta se shpenzon qeveria për këtë sektor, por të raportohen edhe pagesat në traun e rrugës së Kombit.
Komisioni Europian nëpërmjet programit IPA ka dhënë konsulencë teknike për planin e mirëmbajtjes së rrugëve që po zbaton qeveria konstaton se shpenzimet buxhetore për mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar janë më të ulëta se, pagesat e përdoruesve të mbledhura (taksat e akcizës së karburantit, taksat e karburantit të qarkullimit.
Pavarësisht taksave të larta, Shqipëria vuan nga një sistem transporti jo efecient për shkak të investimeve jo të planifikuara mirë. Ndërkohë që në periferi të vendit investimet në infrastrukturën rrugore janë rritur, qendra e vendit ka mbetur pa infrastrukture, ndërkohë që ka qarkullimin më të lartë në njerëz dhe automjete./Revista Monitor