Atentati që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e së dielës, ku një grua u ekzekutua dhe 5 persona të tjerë mbeten të plagosur, dyshohet se është kryer për motive hakmarrje.
Sërish në qendër të vëmendjes rikthehet Ervis Martinaj, ku pretendohet se atentati ishte përgjigje ndaj vrasjeve të ndodhura në Tiranë, Fushë-Krujë, Laç e Lezhë. Theksojmë se në shënjestër ishin njerëzit e Ervis Martinaj, të cilët u ekzekutuan njëri pas tjetrit përgjatë dy viteve të fundit. Këto janë dyshimet e forta të policisë që po heton për identifikimin e autorëve të masakrës së ndodhur mbrëmjen e së dielës, ku dy persona të armatosur me kallashnikov, qëlluan me breshëri mbi lokalin në pronësi të Fatjon Muratit dhe vëllezërve të tij që ndodhet në rrugën Anastas Shundi.
Policia po heton disa nga njerëzit që kanë patur miqësi dhe lidhje me mbretin e lojërave të fatit, dhe prej zhdukjes pa gjurmë të Ervis Martinaj, ata ishin tërhequr dhe nuk shfaqeshin në publik. Ka dyshime të forta që ata janë riorganizuar gjatë këtyre muajve për të goditur në shenjë hakmarrje kundërshtarët e tyre. Megjithatë, asnjëri prej këtyre personave të skeduar nuk janë shoqëruar dhe sipas sistemit TIMS të paktën njëri prej tyre rezulton jashtë, por hetuesit thonë se ai mund të jetë kthyer sërish në fundjavë nga ky mund të kalojë pa u regjistruar.
Ndërkohë, shënjestra e atentatit, Fatjon Murati, i cili do të duhet të ishte në ‘arrest shtëpie’ është arratisur dhe dyshimet janë se është larguar jashtë vendit. Ai është dyshuar me herët për atentatin me 3 të vrarë tek mbikalimi i Fushës-Krujës, ku viktimë mbeti Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha.
Vlen të kujtojmë se në lokalin e Muratit, nga breshëria e armëve, humbi jetën banakierja Mimoza Paja, si dhe u plagos xhaxhai i Fatjon Muratit dhe 5 persona të tjerë, përfshirë dhe mbesën 10 vjeçe të viktimës. Për të rënë në gjurmët e autorëve policia po sekuestron kamerat e sigurisë, përgjatë rrugës që kanë ndjekur ekzekutorët nga Don Bosko deri në fshatin Likmetaj ku ata dogjën makinë që përdoren në atentat.