Ditën e sotme përfaqësues të deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeajt, kanë njoftuar KQZ-në, pak orë para nisjes së mbledhjes se dokumentacioni i dorëzuar për regjistrimin në zgjedhje është i plotë. Në dokumentin e firmosur nga Indrit Sefa, thuhet se Lulzim Basha nuk është më kryetari i Partisë.
‘Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson kryetarin’– lexohet në dokumentin e drejtuar KQZ-së .
Më tej, Sefa kërkon që të anulohet vendimi i marrë së fundmi, e të vijohet me regjistrimin e PD-së në zgjedhje.
Ditën e sotme do të mblidhet sërish KQZ-ja. Sot skadon edhe afati i fundit i vendosur nga Celibashi për Partinë Demokratike që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partia deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për tu regjistruar në zgjedhje. Në mbledhjen e kaluar të KQZ-së, kryetari Ilirjan Celibashi deklaroi se sipas ligjit, kryetar i PD-së është Lulzim Basha. Mirëpo, ai kërkoi që përfaqësuesit e Bashës të risillnin edhe një herë dokumentacionin të plotësuar.
Por, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi bëri të qartë se dokumentacioni është i plotë dhe nuk do të ketë asnjë plotësim.
“PD ka dorëzuar dokumentacionin e plotë ligjor për regjistrim. Deklaratat e sotme politike të KQZ nuk kanë asnjë lidhje me ligjin, por janë formalizim i një vullneti politik ekstraligjor. Nuk do të ketë asnjë plotësim dokumentacioni sa kohë ai është dorëzuar i plotë”, tha Bardhi.