Dhoma e Ulët e Parlamentit rus, e njohur si Duma e Shtetit, votoi të mërkurën për pezullimin e pjesëmarrjes së Rusisë në Traktatin për Reduktimin e Armëve Bërthamore me Shtetet e Bashkuara. Votimi u bë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi një ditë më herët se Rusia do ta pezullojë pjesëmarrjen në Traktatin START-i i Ri.
Votimi në Dhomën e Lartë të Parlamentit pritet të bëhet gjatë pasdites. I nënshkruar në vitin 2010 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Barack Obama, dhe homologu i tij rus, Dmitry Medvedev, traktati START-i Ri kufizon numrin e kokave bërthamore për SHBA-në dhe Rusinë.
Ky traktat hyri në fuqi në vitin 2011 dhe më vonë – më 2021, kur presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mori detyrën – u zgjat edhe për pesë vjet të tjera. Përmes këtij traktati angazhohen inspektorë amerikanë dhe rusë për t’u siguruar që të dyja palët po e respektojnë traktatin.
Sipas marrëveshjes, Moska dhe Uashingtoni zotohen të vendosin jo më shumë se 1.550 koka bërthamore strategjike dhe maksimumi 700 raketa dhe bombardues me rreze të gjatë veprimi. Secila palë mund të kryejë deri në 18 inspektime në vit në vendet strategjike të armëve bërthamore për t’u siguruar që pala tjetër po e respekton traktatin. Sidoqoftë, inspektimet e tilla u pezulluan në mars të vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.
Bisedimet ndërmjet Moskës dhe Uashingtonit për rifillimin e inspektimeve ishin planifikuar të zhvillohen nëntorin e kaluar në Egjipt, por Rusia i shtyu ato dhe, që nga atëherë, asnjëra palë nuk ka caktuar datë të re. Në fillim të muajit shkurt, Rusia tha se donte ta ruante traktatin, pavarësisht se e cilësoi si qasje shkatërruese të SHBA-së ndaj kontrollit të armëve.
Së bashku, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara posedojnë rreth 90 për qind të kokave bërthamore në botë dhe të dyja palët kanë theksuar se lufta midis fuqive bërthamore duhet të shmanget me çdo kusht.
Megjithatë, lufta e Rusisë në Ukrainë i ka sjellë dy vendet në një pikë ku ato nuk kanë qenë më afër konfrontimit të drejtpërdrejtë në 60 vjetët e fundit.
SHBA-ja e ka akuzuar Rusinë për shkelje të traktatit duke mos lejuar inspektime në territorin e saj, ndërsa Moska ka paralajmëruar se ngulmimi i Perëndimit për ta “mposhtur” Rusinë mund ta bëjë të pamundur rinovimin e traktatit kur ai të skadojë në vitin 2026.
Rusia tha vitin e kaluar se rreziku i një konflikti bërthamor ishte real dhe se nuk duhet nënvlerësuar, por duhet shmangur me çdo kusht.
Si SHBA-ja, ashtu edhe Rusia, kryejnë kontrolle për t’u siguruar që raketat e tyre bërthamore nuk mund të përdoren aksidentalisht, pasi vitet e tensionuara gjatë Luftës së Ftohtë kishin sjellë disa raste ku pothuajse kishte ndodhur një gjë e tillë.
Megjithatë, frika për një konfrontim bërthamor është shtuar që nga pushtimi i Ukrainës. Putini ia ka kujtuar botës madhësinë dhe fuqinë e arsenalit të Moskës dhe ka thënë se është gati t’i përdorë të gjitha mjetet e nevojshme për të mbrojtur “integritetin territorial” të Rusisë./REL/