Teksa Policia ka marrë aksionin e heqjes së kamerave të vendosura në rrugët e qytetit nga ana e grupeve kriminale, gazetari investigativ Artan Hoxha tregon pse u hoqën pikërisht tani.
Në një intervistë për A Show, Hoxha tha se kamerat janë larguar nga disa zona elektorale gri dhe sipas tij në këtë fushatë për zgjedhjet vendore do ketë përplasje.
“E di pse po hiqen? Do ta provojmë gjatë fushatës elektorale. Këto kamera nuk i kontrollojnë autoritetet. Ato na kanë dhënë ne materiale të cilat denonconin veprime që bëhen nga pushteti. Në fushatë bëhen shpërndarja, presioni etj. Këto kamera që nuk i kontrollon salla operative, mund të kthehen në armë për kundërshtarin. Po të shikosh pozicionet ku janë hequr kamerat janë zona gri gjatë fushatës elektorale dhe aty do të kemi përplasje shumë interesante”, u shpreh ai.
Kujtojmë që para disa javëve, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka reaguar për heqjen e kamerave të sigurisë të vendosura nga grupet kriminale në të gjithë vendin.
Në përgjigjen e tij, ministri deklaroi se ky është një lajm pozitiv dhe se policia po i jep një mesazh krimit.
“Lajmi është që po ndërhyjmë dhe kjo është gjë pozitive në luftën kundër krimit të organizuar. Ka pasur një lloj kamuflimi se sa i takon bizneseve është detyrim ligjor që të mbajë kamera që survejojnë ambientin.
Duhet t’ia lamë këtë gjë të shkuarës dhe të shohim për këtë punë që po bën policia për të dhënë një tjetër mesazh krimit të organizuar dhe çdo shkelësi të ligjit s’ka hapësira për të krijuar një mjedis ku mund të veprojnë të lirë, kjo është një nga lëvizjet më të mira të policisë dhe fillim i mbarë”, tha Çuçi.