Vendimet për investimet strategjike mund të prekin sipërfaqe të konsiderueshme toke në të cilën mund të ketë edhe fonde pyjore.
Kontrolli i Lartë i Shtetit e sheh si një ngërç faktin që Agjencia Kombëtare Pyjore gjendet e përjashtuar nga këto procese pasi sipas kuadrit ligjor në fuqi nuk administron në mënyrë të plotë gjithë fondin pyjor.
Një auditim i fundit pranë kësaj agjencie nxjerr në pah se ky institucion ngarkohet me verifikimin e koordinatave apo çregjistrimin e sipërfaqeve të caktuara që preken nga këto investime.
“Me vendimet e Komitetit të Investimeve Strategjike lihen detyra për heqjen nga fondi pyjor para marrjes në përdorim të sipërfaqes përkatëse apo ngarkimin e AKP-së me saktësimin e koordinatave apo verifikime të pronës. Po ashtu, kërkohet çregjistrimi nga kadastra dhe fondi pyjor, shoqëruar me detyrimin e subjektit përfitues që të paguajë vlerat përkatëse të pakësimit të volumit të lëndës drusore, të sipërfaqes që do të hiqet nga fondi pyjor si dhe pyllëzimin e një sipërfaqeje tjetër. Për këto detyra, rezulton se Agjencia Kombëtare e Pyjeve gjendet e përjashtuar nga këto procese, së pari ende nuk administron në mënyrë të plotë fondin pyjor, së dyti rezulton e përjashtuar nga proceset e kadastrës pyjore, sa i përket çregjistrimit, heqjes nga fondi pyjor dhe zëvendësimit, pasi kjo agjenci nuk harton/miraton asnjë akt administrativ mbi këto çështje dhe nuk informohet nga MTM mbi vendimet e Këshillit të Ministrave për heqjen nga fondi pyjor”, konstaton KLSH.
Lidhur me këtë situatë ky institucion rekomandon që heqja nga regjistri i fondit pyjor të bëhet pasi të ketë nisur administrimi i projekteve zëvendësuese për këto sipërfaqe që preken nga investimet strategjike.
“AKP të marrë masa që procedurat për heqjen nga regjistri i fondi pyjor të sipërfaqeve që preken nga investimet strategjikë, t’i nisë vetëm pas administrimit të projekteve për zëvendësimit e këtyre sipërfaqeve dhe marrjes së konfirmimit nga MTM për nxjerrjen e akteve(VKM apo Ligji) për heqjen nga fondi pyjor” thuhet në dokument.
Gjatë auditimit KLSH ka konstatuar se ka probleme edhe sa i takon planeve të mbarështimit.
“Nga auditimi rezultoi se në Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, nuk ka gjetur zbatim Vkm-ja nr.570 datë 17.7.2019 “Për Krijimin organizimin dhe Funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Pyjeve”, pika5.4 “Në lidhje me menaxhimin e pyjeve pika ç)
Nga 385 ekonomi pyjore në gjithë vendin vetëm (20 %) prej tyre janë të pajisura me plane mbarështimi apo plane që janë në proces.
Në 21 bashkitë që kanë mbuluar 4% – 100% të territorit me plane mbarështimi, pjesa tjetër prej 40 bashkish nuk kanë hartuar asnjë plan mbarështimi të paktën 10 vitet e fundit, veprime në kundërshtim të ligjit 57/2020, neni 11. Hartimi i planit të mbarështimit është një detyrim ligjor për pronarët e pyjeve” nënvizon KLSh.
Këto plane janë të rëndësishëm pasi sipas ligjit kanë të bëjnë me planifikimin afatgjatë të pyjeve./RevistaMonitor