Në fjalën e tij gjatë protestës së sotme kreu i PL Ilir Meta e ka quajtur kryeministrin ‘struc’ i Rilindjes. Meta siguroi shqiptarët se Rama do të mbajë përgjegjësi për secilën aferë dhe shkeje që ka bërë. Duke cituar edhe shkakun që solli këtë protestë Meta deklaroi se ‘McGonigal’ është afera që derdhi kupën e zemërimit te shqiptarët.
“Të nderuar qytetarë, i nderuar profesor Sali Berisha, lideri i PD. Kjo protestë historike dhe madhështore sot është prova e dinjitetit më të lartë qytetar dhe patriotik, Sot është ora për t’u përballur në një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur, hajdut. Struci i Rilindjes i cili është fshehur si një frikacak i pashoq nga frika e tmerrshme që ka nga përballja e të vërtetës, me dëmet e pallogaritshme. Edi Rama e përdori pushtetin për veten dhe është i gatshëm që të kënaq çdo mafioz, të brendshëm dhe ndërkombëtar, vetëm që të shtyjë dhe disa ditë në pushtet. Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën në të dyja anët e Atlantikut, është afera që ka derdhur kupën e zemërimit. Rama e ka të qartë se llogaridhënien s’i shpëton dot. Do jap llogari për shkeljet e kushtetutës që ka bërë.”, tha ai.