Protesta e sotme është hapur nga kandidati i PD për Tiranën Belin Këlliçi. Në fjalën e tij ai sulmoi ashpër kryeministrin Rama duke i përmendur të gjitha aferat përfshirë edhe atë McGonigal.
“Sa shumë jemi. Ju dëgjoj nga këtu deri te Sheshi Skënderbej! Rama ik! Rama ik!
Shqipëria është derdhur këtu në këtë shesh! Në 103 vjetorin e saj si kryeqytet, Tirana sot është më e gjallë, më e shndritshme, më e bukur se kurrë me ardhjen tuaj. Sot i kemi zemrat plot se kemi miq nga e gjithë Shqipëria, nga çdo krahinë e qytet i vendit. Ja mirë se erdhët dhe ju lumshin këmbët!
Tirana na ka mbledhur të gjithëve, na ka bashkuar për të kundërshtuar njëzëri të gjitha padrejtësitë që i bëhen vendit tonë nga kjo godinë. Këtu është strumbullari i të gjitha të këqijave, i të gjitha aferave që i kanë marrë arkës sonë të përbashkët miliarda euro. Para që iu morën fermerëve, minatorëve, naftëtarëve, spitaleve, shkollave, kopshteve dhe çerdheve.
Para që u vodhën me asfalt elektoral, farsa rindërtimi dhe me inceneratorë imagjinarë.
Para që i jepen agjentëve të huaj për ta lënë vendin pa opozitë, që shqiptarët të mos kenë alternativë në zgjedhje, që 14 maji të jetë një e diel e zakonshme dhe jo një ditë shprese për ndryshim. Po përse paguajnë për të eliminuar opozitën, këta që janë të pathyeshëm?
Paguajnë sepse kanë frikë nga opozita, nga 14 maji, kanë frikë nga ju, nga vota juaj dhe fuqia që ju jep vota.
Përse zhvillojnë takime sekrete, përse fshihen? Sepse marrëveshjet që bëjnë janë të paligjshme, korruptive dhe antidemokratike dhe janë të vetëdijshëm që këtë radhë kanë shkelur në kallo.
Një pyetje kam: Kush e ka parë kryeministrin? Ku është VIP-i? Po këtë që do varte tek palmat e kryeministrisë, zarin e tij në Bashkinë Tiranë, a e ka parë njeri këto ditë? Ish-zëvendësi i tij është kapur. S’ka ku e luan tani. Nëse drejtësia e ka çarkun e madh, edhe tigri bie në çark.
Rrugës për këtu, e patë trafikun e Tiranës, sa kohë duhet këtu për të mbaruar një hall?
E patë batërdinë me kulla që është bërë në sheshin Skënderbej?
Ju lutem kthejeni kokën dhe më thoni, a e shihni dot Sahatin e Tiranës?
E zhduku me një firmë që hodhi. Kaq vlejti për kryebashkiakun simboli i Tiranës, kaq vlejti identiteti i kryeqytetit. Nuk do më bënte fare habi nëse na quan sërish “shpellarë”.
Edhe sot në 103 vjetorin e Tiranës kryeqytet, zari i Ramës në Bashki po mundohet të na hedhë hi syve sikur promovon kulturën me inskenime koncerte lagjesh, ndërkohë që pak metra më tutje rrënohet Radio Tirana, në një kurs shkatërrimi pa kthim, gati për të ndjekur të gjithë vilat e tjera tradicionale të rrrugës Kont Urani, të cilat ja kanë lënë vendin kullave të betonit, e që e kanë shndërruar atë zonë të Tiranës nga një oaz mimozash, në labirinte betoni.
Është kryebashkiaku i vetëm në Europë që publikisht ka fyer të rinjtë që jetojnë në konvikte, pa të cilët Tirana mbetet e shkretë. Të rinj e të reja nga e gjithë Shqipëria vijnë në Tiranë për studime. Prindërit e tyre paguajmë miliona euro qira. I sjellin Tiranës para, vrull, energji. Energji që do duhej t’i kishte vetë një qytet me 1 milionë banorë, por ja që nuk i ka, sepse nuk administrohet. Nëse do të administrohej Tirana nuk do të kishte këtë kaos të përditshëm, këtë stres në trafik, këtë ajër të ndotur që e thithim të gjithë.
Ky është qyteti ku ka më shumë policë bashkiakë se pemë, më shumë kondicionerë në një zyrë shteti se ngrohje nëpër kopshte e shkolla. Ky është qyteti ku kryebashkiaku bën aktorin dhe aktori – investitorin strategjik.”, tha ai.