Tërmeti ka shkaktuar një tragjedi në Turqi dhe Siri ku akoma po punohet për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat.
Teksa ekipet e shpëtimit po punojnë pa ndalim për të nxjerrë sa më shumë të mbijetuar nga gërmadhat, I ftohti ekstreme vështirëson punën e tyre.
Tashmë e gjithë bota është dëshmitare e skenave të tmerrshme dhe tronditëse. Në qytetet turke dhe siriane dëgjohen klithma dhimbjeje, ndërsa forcat e ekipit shpresojnë që çdo person që do të nxjerrin të jetë i gjallë. Duke pasur parasysh që koha po ecën, për fat të keq gjasat janë duke u zvogëluar.
Në qytetin verior sirian të Xhindiresit, të shkatërruar nga tërmeti, një burrë i tronditur qëndron pranë rrënojave të shtëpisë ku jetonte familja e tij.
“Jemi tërësisht të thyer”, thotë Samer Al-Saraqbi, duke qarë me dënesë, pasi ka humbur 12 pjesëtarë të familjes, përfshirë nënën, motrën dhe familjen e saj, në katastrofën më të madhe të shekullit në rajon, e cila ua ka marrë jetën të paktën 11.000 personave në Siri dhe në Turqi.
https://twitter.com/i/status/1623136966534656001
Mbi 11 mijë persona është bilanci i viktimave në Turqi dhe Siri, pas tërmeteve të fuqishme të 6 shkurtit.
Numri i viktimave pritet të rritet, teksa ekipet e shpëtimit janë në garë me kohën për të gjetur të mbijetuar të tjerë nën rrënoja. Tërmeti i parë i 6 shkurtit ishte 7.8 ballësh me epiqendër rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep. Në Siri, operacionet e shpëtimit janë ndërlikuar për shkak se sistemi i kujdesit shëndetësor dhe infrastruktura është shkatërruar nga lufta civile që po zgjat prej 12 vitesh.