Tërmeti me magnitudë 7.8 që goditi Turqinë herët dje në mëngjes ka shkatuar një numër alarmant viktimash dhe të plagosurish.
Agjencia për fëmijë e Kombeve të Bashkuara (UNICEF) tha se tërmetet dhe goditjet pasuese, që shkatërruan mijëra ndërtesa në Turqi dhe Siri, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë.
“Tërmetet që goditën jugun e Turqisë dhe veriun e Sirisë mëngjesin e ditës së djeshme, mund të kenë vrarë mijëra fëmijë”, tha zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder.
Ai shtoi se kjo agjenci e OKB-së nuk ka mundur të saktësojë numrin e fëmijëve të vrarë.
Në orët e para të mëngjesit të 6 shkurtit, Turqia dhe Siria u goditën nga një tërmet prej 7.8 ballësh. Më vonë gjatë të hënës, edhe një tërmet i fuqishëm prej 7.5 shkallësh të Rihterit goditi Turqinë.
Dy tërmetet e fuqishme, dhe qindra goditje të tjera pasuese, shkaktuan mbi 5.000 viktima në dy shtetet. Po ashtu, mijëra persona konsiderohen të zhdukur, pas shembjes së shumë ndërtesave.
Operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, përderisa dhjetëra vende në mbarë botën kanë ofruar ndihmë për të gjetur të mbijetuar të tjerë, shkruan REL.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për tre muaj.
Gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në dhjetë qytetet e prekura nga tërmetet: Gaziantep, Kahramanmarash, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanlëurfa, Adana, Dijarbakër dhe Kilis.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme vjen në kohën kur në Turqi dhe Siri po vazhdojnë përpjekjet për të shpëtuar personat që besohet se kanë mbetur nën rrënojat e mijëra ndërtesave të shkatërruara nga tërmetet e fuqishme që goditën këto dy shtete.