Çështja ‘McGonigal’ dhe përfshirja e kryeministrit Rama në skandal ka ‘aktivizuar” opozitën në vend. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj u shpreh se mazhoranca kishte shtyrë kërkesën e opozitës për ngritjen e komisionit hetimor sa i takon çështjes Rama-McGonigal.
Gjithashtu Alibeja tha se duke mos pranuar këtë kërkesë të opozitës mazhoranca asgjësonte totalisht njërin prej instrumentave më të rëndësishëm.
Mes të tjerash, ai shtoi se arsyeja për këtë është qëllimi për të fshehur Ramën i cili sipas tij është nën hetim.
“Kërkuam interpelancë, por ajo nuk u pranua. Sipas ligjit, kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të japin shpjegime për një çështje kaq të madhe këtu dhe në SHBA. Ju thashë se është një lojë si e si për ta fshehur Ramën nga ca fakte, nga ca të vërteta, që kanë dalë, jo nga ne, jo nga opozita, por nga drejtësia amerikane. Ligji për komisionet hetimore, tradita e këtij parlamenti. 35 deputetë kanë nënshkruar për ngritjen e komisionit dhe përcaktimin e lëndës për Mc Gonigal”. Janë bërë gardh për të fshehur Ramën. Kërkesat janë nënshkruar me emër dhe mbiemër. Heshtjen mund ta pranojmë kur je para prokurorisë, por kur je kryeministër duhet t’i përgjigjesh”, u shpreh Alibeaj, kreu i grupit parlamentar të PD-së.