Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore herët të hënën, duke rrënuar ndërtesa dhe duke vrarë të paktën 568 njerëz. Me qindra të plagosur, numri i viktimave pritet të rritet ndërsa punonjësit e shpëtimit po kërkojnë nëpër rrënojat në të gjithë zonën.
Në të dy anët e kufirit, banorët e zgjuar nga tërmeti para agimit dolën jashtë në një natë dimri të ftohtë, me shi dhe borë, ndërsa ndërtesat u rrafshuan përdhe.
Agjencia turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave tha se të paktën 284 persona vdiqën në shtatë provinca turke. Agjencia tha se 440 persona mbetën të plagosur. Sipas mediave shtetërore siriane, numri i të vdekurve në zonat e kontrolluara nga qeveria në Siri është rritur në 237 me më shumë se 630 të plagosur. Të paktën 47 persona u raportuan të vrarë në zonat e kontrolluara nga kryengritësit.
“Ne shpresojmë ta kalojmë këtë fatkeqësi së bashku sa më shpejt të jetë e mundur dhe me dëme më të vogla”, shkroi presidenti turk Recep Tayyip Erdogan në Twitter.
Qeveria e tij shpalli alarmin e shkallës së 4-të, që do të thotë se po kërkon ndihmë ndërkombëtare.
Epiqendra e tërmetit ishte afër Gaziantepit, një qendër kryesore pranë kufirit Turqi-Siri. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, dridhjet u ndjenë edhe në Liban, Egjipt dhe Qipro.
Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë “të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit”.
“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme, “tha zoti Sullivan në një deklaratë.
Turqia është në një nga zonat më aktive të tërmeteve në botë.
Në vitin 1999, 17,000 njerëz humbën jetën kur një tërmet me magnitudë 7.4 – më i rëndi në dekada goditi në veriperëndim të vendit./VOA