Policia tashmë ka katër të dyshuar për vrasjen para derës së shtëpisë të vëllezërve Bilali në Shkodër, ku dy prej tyre janë vendosur në pranga dhe janë duke u marrë në pyetje.
Arsen Stojku 29 vjeç dhe Milslim Rama 23 vjeç, tashmë ndodhen në polici ndërkohë që 26-vjeçari, Ibrahim Lici i dyshuari kryesor për vrasjen dhe 29-vjeçari D.B, janë në kërkim.
Mirëpo si ka ardhur historia deri në këtë pikë?
Astrit Bilali është babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt dhe dyshimet janë se pikërisht lufta mes dy grupeve ka sjellë edhe viktimat, babain dhe xhaxhain e Astmer Bilalit.
Astrit Bilali ka qenë një emër i njohur në Shkodër dhe kjo për shkak të bizneseve që ai kishte, ku më i njohuri ishte resorti i hipizmit, pasion të cilin e ndante edhe Astmer Bilali. Mirëpo edhe xhaxhi i tij ka qenë kampion i hipizmit, kështu që dy vëllezërit dhe nipi ndanin me njëri- tjetërin dashurinë për kuajt.
Por kush ishte Astmer Bilali? Astmer Bilali ka qenë boksier i Vllaznisë dhe pak kohë më parë u kthye në qendër të vëmendjes pas një tjetër ekzekutimi, atë të shokut të tij, Arjan Ferracaktu, i cili mbeti i vdekur para duarve të tij.
Ferracaku është vrarë në momentin që ishte duke kalëruar pikërisht në resorin e hipizmit, mirëpo dyshimet u hodhën se shinjestra nuk ishte Ferracaku, por Bilali, megjithatë kjo nuk u vërtetua asnjëherë.
Mirëpo këtë herë autorët lanë gjurmë dhe më e madhja ishte makina që dogjën vetëm pak më tutje.
Ishin pikërisht gjurmët e lëna në këtë makinë, të cilën zjarrfikësit arritën ta shpëtonin në kohë që nxorrën në pah përsonat që kishin kryer krimin.