Skip to content
Të Gjitha

Marrëveshjet e errëta për landfillin: Si iu grabit toka 95 familjeve të Sharrës

· 2 min lexim

Teksa koncesioni i landfillit të Sharrës grabit çdo ditë para nga taksapaguesit shqiptarë (lexo këtu), ata që i kanë pësuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kurriz pasojat e kësaj marrëveshjeje të pastër klienteliste janë vetë banorët e Sharrës.

Për ndërtimin e inceneratorit famkeq që do të djegë mbetjet e kryeqytetit për të prodhuar energji elektrike, duke shkaktuar dëme masive në ekosistem, banorëve u janë marrë tokat.

95 familje që jetojnë në këtë zonë, përveçse kanë mbetur pa punë pas eleminimit të industrisë së riciklimit, tashmë kanë mbetur dhe pa tokë, nga e cila mund të siguronin jetesën.

Ministria e Infrastrukturës, në gusht të 2018-ës njoftoi familjet për shpronësimin dhe si dëmshpërblim për to, është caktuar shifra qesharake 488 lek/m2, për një hapësirë prej 537 mijë metrash katrorë.

Sipas vendimit, shuma e caktuar në mënyrë tërësisht abuzive dhe në mospërputhje të plotë me çmimet e tregut, do t’u likuidohet banorëve brenda dy viteve me këste.

Ky vendim u kundërshtua ashpër nga banorët e zonës të cilët protestuan dhe madje kërkuan largimin e përfaqësuesëve të Partisë Demokratike, për të mos lejuar politizimin e çështjes.

Por zërat e tyre ranë në vesh të shurdhër, pasi falë marrëveshjeve abuzive, kompania “Integrated Energy BV SPV” vijon e  pashqetësuar aktivitetin e saj, duke vjelë taksa të majme nga Bashkia e Tiranës dhe kompani private, ndonëse inceneratori nuk është ndërtuar ende./gazetareforma.com