Para katër ditësh (11 nëntor 2022), kryebashkiaku i Divjakës, Fredi Kokoneshi u plagos nga ish-vartësi i tij, Orges Xhelili. Ndërkohë që Abaz Xhelili, babai i Orges Xhelilit, ka folur për mediat duke thënë se nuk kishte dijeni për problemin serioz që do të çonte në këtë pikë djalin e tij.
Ndër të tjera, Xhelili u shpreh se djali i tij ka qenë student ekselent dhe ka mbaruar universitetin për inxhinieri elektronike e së fundi kishte nisur punë në Tiranë.
Babai i autorit të plagosjes se Kokoneshit shprehet se ka qenë kryebashkiaku i Divjakës i cili së bashku me shoferin e tij, kanë ndaluar djalin e tij, ku më pas debati ka degraduar në plagosje.
“Problem, ça problemi e hoqi nga puna, po 1 vit. Ka qenë student i mirë, absolut. Nuk na kishte thënë gjë, ditën e hënë do ishte në punë në Tiranë si inxhinier elektronik. Ka mbaruar të lartën për inxhinieri elektronike, absolut. Nuk e marr vesh, si arritën këto shqetësime djalit. Ne dy çuna kemi, i kemi pasur ekselentë. Shqetësimi se e hoqi nga puna pa të drejtë. I thashë po lëre pse nuk gjen punë ti se të hoqi Fredi. Deshën të ikin në Gjermani. Filloi punë. E thirrën njëherë nga krimi ekonomik, si është problemi, me këto vjedhje.
Ne i kemi pasur dhe si miq se mbesën atje, u prish miqësia, u prishën dhe ky. Mirë se e hoqi djalin për punë politike, ne jemi krahu i saj, unë jam familje dëshmori, vetë kam qenë oficer, kam punuar në shëndetësi kaq kohë. Të priste djali im me këta rrugaçë. Ai ka pasur probleme Fredi, po te djali im e gjeti? Nga televizori e morëm vesh, na e thanë të tjerët. Ne jemi të dy pleq, gruan 40 vjet mësuese, drejtoreshë shkolle.
Ai ka vajtur atje, në rrugë i ka thënë ky qe ti. Jam në hallin tim, kam zënë punë. Se zuri punë, fillonte në Tiranë. Se ça janë ofenduar. E ka pasur krushku derën aty afër. Atë ditë erdhi nga Tirana, për të marrë ca gjëra se krushkun e kisha në spital. E ndaluan ata. Vetëm e drejta, të dalë drejtësia, se djali im nuk ka qenë problem”, tha babai i autorit.