Mëngjesin e sotmë, kryetari i Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, është plagosur me thikë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur si pasojë e një debati të fortë që Kokoneshi ka pasur me Orgerst Xhelilin, ish-punonjës IT i bashkisë së Divjakës, i cili më pas e ka qëlluar me thikë. Në këto momente ka ndërhyrë shoferi i Kokoneshit për t’i ndarë, por Xhelili ka goditur edhe këtë të fundit. Fredi Kokoneshi ka marrë plagë në shpatull dhe krah.
Bëhet me dije Kokoneshi është dërguar në spitalin e Lushnjës, ndërsa autori është ndaluar nga policia.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në poliklinikën e Divjakës, ku punon dhe bashkëshortja e autorit të dyshuar. Policia e Lushnjës ka dhënë detaje rreth plagosjes së kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshi. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Divjakë / Informacion paraprak
Rreth orës 09:30, në afërsi të bashkisë Divjakë, shtetasi O. Xh., 46 vjeç, dyshohet ka goditur me mjet prerës, shtetasin F. K., me detyrë Kryetar i bashkisë Divjakë dhe shoferin e tij, shtetasin G. B., 45 vjeç. Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë dhe po marrin ndihmë mjekësore, në Spitalin Rajonal Lushnjë.
Falë veprimeve të shpejta operacionale të shërbimeve të Policisë, është kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, shtetasi O. Xh., si autor i dyshuar i plagosjes.
Në vendngjarje ndodhen drejtuesit më të lartë të DVP Fier.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.