Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur sot në Kuvend me deputetët e Partisë Demokratike, Edi Paloka dhe Bujar Leskaj. Me anë të një statusi në rrjetet e tij sociale, Rama shkruan se të dy ishin të dehur dhe i kishin sharë atë dhe kabinetin e tij të ministrave. Ndaj edhe numri një i qeverisë nuk i ka kursyer edhe sharjet vetë ndaj tyre, duke i cilësuar si bedela dhe të shitur tek rusët, duke përmendur edhe historinë e rublave ruse.
“Pas 28 orësh seancë diskutimesh për #Buxhetin2023 as PD, as PF dhe as PL (Partia e Lekut) nuk pranuan që ka luftë, nuk folën për asnjë lidhje mes luftës së Putinit, krizës së çmimit të energjisë dhe inflacionit të luftës, nuk thanë asnjë llaf për 1/2milionë USD të marra nga rusët! Seanca u mbyll me dy të dehur nga rruga e Foltores që shanë me libër shtëpie në emër të popullit dhe mbetën pa bërtitur “Shqipëria në Rrezik!” se harruan tekstin prej alkoolit! 3 parti bedelësh pa atdhe,pa din e as iman, me dy të shitur në ballë e dyzet të shkalafitur vërdallë!,”-shkruan Edi Rama në rrjetet e tij sociale.
Reagimi i Ramës vjen pas vendimit të dorëzimit të kërkesës së Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë për ta përjashtuar Edi Palokën dhe deputetin Bujar Leskaj për 10 ditë nga seancat plenare. Ata akuzohen nga Partia Socialiste, se kishin hyrë të alkoolizuar në seancë. Të dy deputetët e kanë mohuar një gjë të tillë, duke u shprehur se ishin të gatshëm të bënin testet e nevojshme për të hedhur poshtë aludimet ndaj tyre.