Policia e Shtetit bën me dije se, ka vënë në pranga personin e pestë, si i dyshuar i grabitjes në aeroportin e Rinasit. Bëhet fjalë për Elton Pikli, 32 vjeç nga Kruja, ndërsa Policia e Shtetit dha një informacion zyrtar për arrestimin e tij.
“Në vijim të veprimeve të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjen së datës 09.04.2019 në aeroportin e Rinasit, ju informojmë se mbrëmë në mesnatë është kapur dhe ndalur shtetasi E.P., banues në Krujë, i dyshuar si një prej autorëve të kësaj ngjarje.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë për veprën penale të ‘Vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim’ në kuadër të ‘Grupit të Strukturuar Kriminal’, ‘Mbajtjes pa leje e armëve dhe municioneve luftarake’; ‘Vrasje e Punonjësve të Policisë’ e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentative,” -deklaron policia.
Ndërkohë burimet e “balkanweb” kanë zbuluar edhe imazhin e 32-vjeçarit, Elton Pikli, por nuk dihet ende roli i tij në grabitjen e 9 prillit.
Elton Pikli, është arrestuar teksa tentonte të largohej drejt Bullgarisë, ndërsa përveç tij dy ditë më parë kanë përfunduar në pranga edhe Oltion Veseli, Alkond Bengasi, Renaldo Sula, dhe Saimir Çela.
Hetimet për autorët e tjerë janë duke u kryer edhe me autoritetet bullgare, pasi dyshohet se Bullgaria ishte një ndër bazat e Aleks Pepës një prej të kërkuarve për grabitjen e parë brenda aeroportit të Rinasit në 2016