Ditët e fundit janë shënuar 3 humbje jete në rrethana misterioze të shqiptarëve në vendin tonë, fqinj, Greqinë.
Gazetari investigative Artan Hoxha ka reaguar ashpër mbi fenomenin ku autoritetet shqiptare tregojnë nivel të ulët të kërkesës së llogarisë për jetët e humbura në Greqi, teksa bëjnë të kundërtën kur pala greke pretendon të arrestojë një shtetas shqiptar, duke sjellur në vëmëndje rastin e Spartak Dyrmishit.
Hoxha u shpreh se shteti shqiptar nuk është se i ka kërkuar ndonjë skuadër speciale hetimi Greqisë për gjetjen e shkakut të vdekjeve të shqiptarëve atje.
Ndërkohë që në rastin e Spartak Dyrmishit u soll në mënyrë shumë inferiore duke e dorëzuar në Greqi pa asnjë vendim gjykate.
“Dorëzimi i Dyrmishit në Greqi nuk është as ekstradim dhe as deportim. Është një rast i paprecedentë ku çdo polici në Shqipëri mund të marrë për krahu secilin shqiptar dhe ta dorëzojë në Greqi apo kudo pa një vendim gjykatë. Janë treguar shumë inferiorë, në shkelje totale të ligjit”, tha Hoxha duke treguar dhe se si Dyrmishi, i akuzuar për përdhunim në Greqi u dërgua përtej kufirit.“E morën, i firmosën edhe pasaportën në kufi për të treguar se ka kaluar vetë dhe në pranga ia dorëzuan grekëve pa asnjë vendim gjykate”, tha Hoxha duke shtuar se policia shqiptare na ka gënjyer për të gjithë procedurën.