Ministria e Shëndetësisë në Kosovë u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen kundër gripit sezonal, si dhe të marrin dozat përforcuese kundër koronavirusit.
Përmes një komunikate për media, Ministria ka thënë se vaksinimi kundër grupit sezonal do të fillojë nga 31 tetori.
Vaksinimi kundër gripit sezonal do të mund të bëhet çdo ditë në qendrat kryesore të Mjekësisë Familjare në çdo komunë.
Ditë më parë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për vigjilencë teksa po rritet numri i rasteve me koronavirus dhe grip stinor në Evropë.
“Kjo nuk është kohë për relaksim”, ka thënë drejtori i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge, në një konferencë për media, duke iu referuar afrimit të stinës së dimrit.
Në këtë valë të re të koronavirusit nuk është duke u rritur numri i vdekjeve apo edhe i shtrimit të pacientëve në kujdes intensiv, prandaj OBSH-ja e ka përmendur rëndësinë e vaksinimit.
“Vaksinimi mbetet një prej mënyrave tona më efikase kundër grupit stinor dhe koronavirusit”, ka thënë Kluge, duke u bërë thirrje njerëzve që të marrin dozat përforcuese sa më shpejt që është e mundur.
Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.
Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili. REL