Berisha ka shpallur datën kur do të mbahet protesta e parë e opozitës. Berisha deklaroi se “me 12 nëntor do të nisë beteja e madhe kundër regjimit të urryer të Edi Ramës”. Ndërkohë ka reaguar kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Përmes një statusi në faqen e tij në Facebook, kreu i PL-së shpreh mbështetjen për këtë protestë, duke thënë se koha e demokracisë direkte po vjen.
“Mbështetje totale për protestën madhështore të 12 Nëntorit! Shqiptarët më të bashkuar se kurrë drejt Referendumit dhe Primareve! Koha e Demokracisë direkte po vjen!”, shkruan Meta.
Kujtojmë që Berisha theksoi se kjo protestë do të jetë gjithëpërfsirëse dhe se nuk do të marin pjesë vetëm PD dhe PL, por edhe parti të tjera opozitare.
“Jam këtu për t’ju informuar opinionin se PD e PL e forca të tjera opozitare nisim më 12 nëntor betejën e madhe kundër regjimit të urryer. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës. Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale të krijuar nga vjedhjet e mëdha dhe të papërmbajtura të fondeve buxhetore, të pasurive publike të qytetarëve shqiptarë. Vjedhjet e buxheteve familjare përmes çmimeve të larta, pabarazisë absolute para ligjit që sundon në Shqipëri, ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e partisë- shtet, i cili në historinë kombëtare është regjimi më anti-shqiptar pas regjimit të Enver Hoxhës”, deklaroi ndër të tjera Berisha.